Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 5,2 % në muajin mars 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 563,5 milion euro, krahasuar me deficitin prej 535,7 milion Euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me 13,6 %, sipas të dhënave të ASK-së.
Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, eksporti i mallrave në muajin mars 2026 kishte vlerën 88,4 milion euro, ndërsa importi 651,8 milion euro që është një rritje prej 18,2 % për eksport, si dhe një rritje prej 6,8 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26,2 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,4 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11,1 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,3 % e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 8,2 % e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tekstili; etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 14,5 % e përbëjnë produktet minerale; 14,3 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,6 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,6 % e përbëjnë mjetet e transportit; 10,0 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.
Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 29,3 milion euro ose rreth 33,2 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,9 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,0 %), Italia (3,8 %), Holanda (2,9 %), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 284,1 milion Euro ose 43,6 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14,1 %. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13,5 %), Italia (4,5 %), Polonia (3,4 %), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 40,8 milion euro ose 46,2 % të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 21,8 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (16,2 %), Shqipëria (14,2 %), Serbia (8,8 %), Mali i Zi (5,2 %), etj, theksojnë të dhënat e ASK-së.
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 78,1 milion euro ose 12,0 % të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-23,1 %). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (3,8 %), Maqedonia e Veriut (3,6 %), Serbia (3,3 %).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 18,2 milion euro ose 20,7 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,2 %) dhe Turqia (3,8 %), ndërkaq importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 289,6 milion euro ose 44,4 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (14,6 %) dhe Turqia (11,0 %).




