Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK nuk qëndron në Qeveri me Albin Kurtin, nëse taksa nuk hiqet pa kushte, shkruan Gazeta Metro.
Hoti në Pressing ka thënë se nuk mund të qeverisësh në një qeveri që nuk e ka mbështetjen e SHBA’së. “A mundë të qeverisësh suksesshëm një qeveri e cila nuk e ka mbështetjen e SHBA’ve? Në një qeveri të tillë LDK nuk rrin. LDK nuk rri në qeveri nëse nuk hiqet taksa pa kushte. Një qeveri e cila e izolon veten, nuk mund të çojë përpara agjendën e Kosovës. LDK’ja nuk ka asnjë interes në qeveri e cila e izolon veten”, është shprehur Hoti.
Hoti tha se vendimi i Kurtit lidhur me taksën nuk është qëndrim i dakorduar. “Unë kam qenë në dakordim për t’i diskutuar kushtet. Nuk është qëndrim i dakorduar nga ne vendimi i Kurtit lidhur me taksën”, ka thënë Hoti. Tutje, Hoti ka shtuar se vendimet në qeveri duhet të merren së bashku, e jo njënshëm. “Ne jemi partner në qeveri, vendimet merren së bashku jo njëanshëm, besoj që duhet të ulemi e të bisedojmë për rrugën që kemi përpara. Qeveria nuk duhet të izolojë vetën nga partnerët ndërkombëtar”, ka thënë ai. Ndryshe, ky vendim i të parit të Qeverisë vjen pas presionit të vazhdueshëm të SHBA’së, të cilët raportohet se i kishin dhënë Kurtit ultimatum deri nesër që të vendosë rreth kësaj çështje./gazetametro.net