Hashim Thaçi vjen sot për vizitë në Kosovë.
Ish-presidenti i Kosovës, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, është liruar për të vizituar babain e tij, Haxhi Thaçin, i cili tash e disa kohë e ka të rënduar gjendjen shëndetësore.
Burime të Paparacit kanë treguar se Gjykata Speciale e ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për lirimin e tij të përkohshëm në Kosovë për një ditë për vizitë humanitare.
Por, kjo është mbajtur krejtësisht fshehtë nga gjykata për shkak se, sipas Prokurorisë, Thaçi ka ndikim të madh politik në Kosovë.
Mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar dy herë më parë gjatë këtij viti lirimin e përkohshëm të klientit të tij për të vizituar babain e tij, por gjykata i ka hedhur poshtë të dy kërkesat e mëparshme.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte si dhe së fundi iu është ngritur një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza.