“Ne si Kosovë po paguajmë çmimin e rëndë të shtyrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e tanë. Na është bërë padrejtësi ashtu sikur Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se dialogu me Serbinë e përshpejton procesin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkim Europian.
Kështu ka thënë ai gjatë fjalimit të tij në Samitin për Paqe të Evropës Juglindore, duke shtuar se paqja afatgjate në Ballkanin Perëndimor varet në masë të madhe nga paqja e përhershme mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.
“Sivjet janë bërë 20 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Paqja që u arrit me intervenimin e NATO-s në vitin 1999, ishte mbi të gjitha rezultat i një politike vizionare të SHBA-ve dhe BE-së. Ky vizion i dha fund njëherë e përgjithmonë tragjedive të njëpasnjëshme në Ballkan”.
“Samiti i Selanikut në vitin 2003, hapi kapitullin e perspektivës Europane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Me njohjet e para të Pavarësisë së Kosovës erdhi edhe perspektiva europiane për shtetin më të ri në Europë”.
“Nuk mund të mburremi askush, as në rajon dhe as në Bruksel për rezultatet e këtij projekti të përbashkët. Nuk besoj se ka pasur politikan apo qytetar të Kosovës që ka mundur të supozojë se 20 vjet më pas, i gjithë ky rajon nuk do të bëhet pjesë e BE-së. Askush nuk ka mundur ta imagjinojë në vitin 1999, që 20 vjet më vonë ne ende nuk do të kemi një marrëveshje me Serbinë për njohje reciproke. Janë humbur raste të mëdha që të arrijmë këtë marrëveshje; ndërsa ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm për dialog”.
“Paqja afatgjate në Ballkanin Perëndimor varet në masë të madhe nga paqja e përhershme mes Kosovës dhe Serbisë – me një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila s’mund të përfundojë pa njohje reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Kjo marrëveshje ka edhe anën tepër të rëndësishme – të shtytjes ekonomike dhe politike nga ana e BE-së”.
“Jemi të vetëdijshëm për dyshimet dhe ngecjet e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Në si Kosovë po paguajmë çmimin e rëndë të shtyrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Na është bërë padrejtësi ashtu sikur Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Jam i sigurt se kjo nuk shkakton dyshime se çka duhet të bëjmë dhe si duhet të sillemi tash e tutje në raport me BE-në. Ne duam të bëhemi shtet anëtar i BE-së sa më parë që është e mundur sepse nuk kemi fat tjetër dhe as që dëshirojmë fat tjetër”.
“Mirë do të ishte që gjitha shtetet e Ballkanit të inkuadroheshin në BE. Në ndërkohë ato do të duhet t’i zgjidhnin të gjitha mosmarrëveshjet që kanë mes vete. Kosova ka vullnet që t’i vazhdojë bisedimet me autoritetet e Serbisë me mbështetjen e BE-së. Nuk kemi kohë për të humbur.
“Dialogu nuk ka alternative, përkundrazi përshpejton edhe procesin për anëtarësim në BE”.