Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas sulmit në lokalin ku bashkë me ish-kryetarin Agim Bahtiri kishin shkuar aty. Sveçla ka dënuar ashpër sulmin dhe ka kërkuar nga organet kompetente që të identifikojnë të dyshuarit sa më shpejt.
Në një postim në Facebook, Ministri ka thënë se sulmet e tilla nuk i zmbrapsin dhe se nuk do t’i frikësojnë as qytetarët, pasi rendi dhe ligji do të triumfojë me çdo kusht mbi territorin e Republikës.
Reagimi:
Prej tri vitesh angazhohemi pa reshtur në shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në veriun e vendit tonë që më parë ka qenë zonë e kontrolluar nga bandat kriminale të Serbisë e njollë e zezë për vendin tonë.
Lufta jonë e pandalshme ndaj grupeve kriminale të Serbisë dhe neutralizimi i ndikimit të tyre në masë ka arritur të krijojë normalitet jetese me ç’rast shumë qytetarë tanë atje kanë filluar të krijojnë mundësitë për zhvillimin e tyre.
Ky fakt duket se i pengon edhe disa mbetjeve kriminale të Serbisë në veri me ç’rast në mëngjesin e sotëm jam njoftuar se është sulmuar me koktej molotovi pastiçeria “Sharr” në Mitrovicën e Veriut.
Dënoj ashpër këtë sulm dhe kërkoj nga organet përkatëse në identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
Sulmet e tilla nuk do të na zmbrapsin asesi dhe jam i bindur se nuk do ti frikësojnë e ndalin as qytetarët tanë.
Rendi e ligji do të triumfojnë me çdo kusht mbi terrorin.