Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Çdo ditë raportohen raste të ndryshme, ku përfshihen burra e gra, prindërit e fëmijët. Kështu ndodhi së fundmi në një familje në Mitrovicë të Veriut.
Gazeta Sinjali mëson se rasti ka ndodhur më 22 korrik 2025, rreth orës 16:00, në rrugën “Kralj Petar” në Mitrovicë të Veriut, ku një burrë 77-vjeçar është kërcënuar dhe sulmuar nga dy bijtë e tij.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima A.D, rreth 78-vjeçar ka raportuar se është përballur me kanosje dhe sjellje vetgjyqësore nga të dyshuarit S. D., rreth 34-vjeçar dhe M. D, rreth 37-vjeçar.
Pas raportimit, njësitë policore kanë ndërhyrë dhe kanë shoqëruar të gjitha palët në stacion, ku janë marrë deklaratat e nevojshme nga viktima dhe dy të dyshuarit.
Lidhur me rastin, është kontaktuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që rasti të trajtohet si ‘Dhunë në familje”, “Vetgjyqësi”, dhe “Kanosje”.
Me vendim të tij, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Sinjali do të sjellë detaje shtesë sapo të konfirmohen nga autoritetet hetimore./GazetaSinjali