Kosova tashmë i ka pesë medalje olimpike. Po, po, pesë. Dhe atë në vetëm tri edicione të Lojërave Olimpike, ngjarjes sportive dukshëm më të madhe globale.
Medaljen numër pesë për vendin e siguroi Laura Fazliu. Ajo e fitoi të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë. Të martën Laura garoi në “Champ de Mars Arena” në Paris. Në praninë e mbi 8000 shikuesve nisi ngadalë, por përfundoi me medalje olimpike. Është suksesi dukshëm më i madh në karrierën e deritashme të 23-vjeçares.
Për medalje të bronztë, Laura e mposhti kroaten Katarina Krishto.
Laura ishte bartëse e tretë dhe kështu në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti me shumë mund kinezen Jing Tang. Ndaj saj lufta u vendos me dënime. Në kohën shtesë kinezja e mori dënimin e tretë dhe fitorja me Ippon i takoi Laurës.
Në çerekfinale, Laura e kishte përballë legjendën e xhudos, francezen Clarisse Agbegnenou. Ndaj saj kishte dy fitore nga e kaluara, por shumë më herët është ditur se do të jetë luftë e vështirë. Clarisse ishte kampione olimpike dhe është kampione e gjashtëfishtë e botës. Është prej emrave më të mëdhenj të xhudos në histori.
Laura nisi me një aksion të mirë. Por i mungoi kujdesi dhe Clarisse realizoi hedhje për Ippon pas vetëm 34 sekondave.
Humbja ishte shok, por jo i pakalueshëm.
Në luftën e parë të repesazhit, Laura ishte shumë e sigurt ndaj kanadezes Catherinë Beauchemin-Pinard. Kishte iniciativën, por edhe kanadezja, bartësja e dytë, shfaqi nivel të lartë. Lufta shkoi në kohën shtesë. 26 sekonda pasi nisi koha shtesë, Laura realizoi hedhje për uazari.
Medalja e Laurës është e dyta për Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Të dielën medalje të argjendtë fitoi Distria Krasniqi në kategorinë deri 52 kilogramë. Të hënën Akil Gjakova u rendit i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë.
Laurës në Olimpiadë në këndin e trajneres i ka qëndruar Majlinda Kelmendi, tashmë pjesë e rëndësishme e shtabit teknik të kryemjeshtrit Driton Kuka.
Majlinda e ka fituar medaljen e parë olimpike për Kosovën – të artën në Rio 2016. Në Tokio 2020, medalje të arta kanë fituar Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Tashmë në koleksion janë medaljet olimpike me të tri ngjyrat.
Dhe kështu konfirmohet e rikonfirmohet ajo që dihej – ekipi i kryemjeshtrit Driton Kuka i takon nivelit më të lartë botëror./koha.net