0.2 C
Mitrovice
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

Te kampioni i Çekisë vlerësojnë Trepçën

Trepça është bërë skuadra e parë nga Kosova që ka kaluar kundërshtar në kualifikimet e Ligës së Kampionëve në basketboll. Të mërkurën në Turqi, Trepça e mposhti kampionin e Qipros, Keravnosin. Ndeshja kishte fund dramatik, ndërsa kampionia e Kosovës fitoi me rezultatin 82:79. Ndeshja ishte çerekfinale e raundit kualifikues të Championsit.

“Xehetarët” menjëherë e kanë kthyer fokusin te ndeshja e radhës, ajo gjysmëfinale. Të premten nga ora 13:00 përballë do ta kenë kampionin e Çekisë, ERA Nymburk. Nymburku vlerësohet favorit i madh i Turneut 2 të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

Kjo skuadër ka luajtur shtatë herë në Champions, prej tetë edicioneve sa janë zhvilluar gjithsej. Nymburku për herë të parë luan në kualifikime të Championsit. Deri më tani, e kishte të garantuar vendin në stinorin e rregullt.

“Ne duhet ta meritojmë promovimin. Të gjithë kemi dëshiruar të jemi në Ligën e Kampionëve pa kualifikime, por nuk funksionoi. Kështu që duhet të luftojmë për këtë ëndërr”, ka thënë fundori i Nymburkut, Ondrej Sehnal.

Nymburku ka formuar skuadër shumë garuese që tashmë e ka kaluar fazën e komponimit. Ka fituar të gjitha gjashtë ndeshjet përgatitore.

Trajneri i Nymburkut, Francesco Tabellini ka thënë se “Trepça solli basketbollistë interesantë të huaj dhe luan mbrojtje të fortë. Do të jetë ndeshje e vështirë”.

Nymburku dy herë arriti në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ka 20 tituj të Çekisë prej vitit 2004 e tutje. Pa titull mbeti vetëm vitin e kaluar. I ka po ashtu 15 kupa të Çekisë.

Për të kaluar në stinorin e rregullt të Championsit, që do të ishte sukses historik, Trepça duhet të kalojë edhe dy kundërshtarë. Në gjysmëfinalen tjetër të Turneut 2 kualifikues përballen Kalev/Cramo e Estonisë me Levicen e Sllovakisë.

Nymburgu e nis garimin prej gjysmëfinales. Në kualifikime të Championsit po paraqiten 24 skuadra, të ndara në katër turne. Vetëm katër skuadrat më të mira kualifikohen në stinorin e rregullt.

Prishtina në tri raste, dhe Golden Eagle Ylli e Peja në nga një rast, ishin ndalur nga kundërshtarët e parë në kualifikimet e Championsit deri më tani. Trepça bëri hap para, ndërsa hapin tjetër, që do të ishte gjigant, e synon të premten.

Trepça ka fituar të gjithë trofetë në basketbollin kosovar në edicionin e kaluar, ndërsa e fitoi edhe turneun e Ligës Unike. Bëri hapa para edhe në FIBA Europe Cup. Këtë edicion e nisi me triumf në garën për Superkupë dhe tashmë po shkruan histori në Champions.

Liga e Kampionëve është gara kryesore e FIBA-s për klube evropiane të basketbollit. Por për nga niveli, qëndron prapa Euroligës dhe EuroCup, që nuk zhvillohen nën ombrellën e FIBA-s.

Autor: Arsim Maxhera / Koha.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT