Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar për takimin që ka pasur sot me Zv. Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, David A. Baker.
Osmani ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet.
“Kënaqësi ta mirëpres sot Zv. Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve, David A. Baker. Kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar. Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një objektiv strategjik dhe mbështetja e SHBA-ve në këtë proces është jetike”, ka shkruar Osmani.
Pas takimit me presidenten, Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të zhvillojë takim edhe me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ndërkohë më herët gjatë ditës, Baker është takuar me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.