15.2 C
Mitrovice
E premte, 26 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

Tahiri tregon planin 4-vjeçar për Mitrovicën: Trajtim të lumenjve, infrastrukturë e parkingje

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, e ka prezantuar planin e tij katër-vjeçar nëse zgjidhet në krye të këtij qyteti.

Tahiri tha se platformën qeverisëse për periudhën 2025-2029 e kanë ndërtuar duke u takuar me qytetarë e që i përgjigjet kërkesave, interesit dhe potencialit të Mitrovicës.

Ai përmendi trajtimin e lumenjve, ndërtimin e unazës së brendshme dhe zgjidhjen e çështjes së parkingjeve për vetura.

“Ne do t’i trajtojmë të gjithë lumenjtë, do ta trajtojmë Lumin Ibër prej urës kryesore deri te pjesa ku bashkohet me Sitnicën. Do të trajtohet tërësisht Sitnica prej ku bashkohet Ibri me Sitnicën deri në kufi me Vushtrrinë”.

“Do të trajtohet Lumi Trepça prej urës së Sitnicës deri te tuneli i parë, do të trajtohet Lumi Lushta prej tjegullores deri në fshatin Lushtë. Trajtimi nënkupton brigjet, shtegun e ecjes, hapësirat gjelbëruese, shtegun për bicikileta, këndin e lojërave për fëmijë dhe do t’i vendosim në pah vlerat e Mitrovicës si qytet i katër lumenjve”, tha Tahiri në Edicionin Special në Klan Kosova.

Tutje, ai u shpreh se do ta trajtojnë edhe infrastrukturën urbane dhe rurale, për të cilën tha se janë identifikuar rreth 70 kilometra rrugë e rrugica të paasfaltuara.

“Në këtë mandat, duke pasur parasysh dhe shprehur vlerësimin e të gjithë atyre prej vitit 1999 deri më 2025 që kanë punuar secila qeverisje, tash kanë mbetur edhe 70 kilometra dhe në vitin 2029 infrastruktura rrugore do të jetë tërësisht e trajtuar”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Tahiri u shpreh se planifikon që për gjatë katër viteve t’i ndërtojnë 2 mijë e 500 vendparkingje, por edhe shesh të koncerteve e hapësira gjelbëruese.

“Do ta trajtojmë unazën e brendshme të Mitrovicës. Në qytetin e Mitrovicës është një sfidë tash e 25 vite çështja e parkingjeve publike. Kemi planifikuar tri hapësira publike që t’i ndërtojmë 2 mijë e 500 vendparkingjeç.

“Njëra është tek QKMF-ja e vjetër, do ta rrëzojmë atë dhe dy kat nën tokë do të ndërtohen parkingje, ndërsa mbi tokë shesh i koncerteve dhe hapësirë gjelbëruese”.

“Kurse hapësira tjetër do të jetë mbrapa objektit të komunës, një kat nën tokë dhe pesë kat mbi tokë. E, tjetri do të jetë tek Ndërmarrja Publike ‘Uniteti’, që do të jetë një kat nën tokë dhe pesë kat mbi tokë. Do ta bëjmë menaxhimin e parkingjeve publike”, tha ai.

 

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT