21 C
Mitrovice
E diel, 27 Korrik, 2025
spot_imgspot_img

Tahiri: Albin Kurti filloi kapjen e shtetit qysh herët me kapjen e sindikatave

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka ironizuar me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, njëherit kandidatin për të drejtuar qeverinë e re pas zgjedhjeve të 6 Tetorit, pas takimit që ky i fundit kishte dje me përfaqësues të sindikatave të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.

Tahiri thotë se takimi i z. Kurti me sindikalistët ka ardhur si përpjeke për të blerë paqe, duke qenë i vetëdijshëm se tashmë z. Kurti ka detyrë dhe përgjegjësi të re për të drejtuar institucionet e vendit. Duke e quajtur si përpjekje për të neutralizuar sindikalizmin, Tahiri ka ironizuar me ligjërimin e zotit Kurti mbi nevojën e organizimit sindikal dhe rritjes së fuqisë së sindikatave, siç kanë raportuar mediat për takimin e djeshëm. Sipas Tahiri, hapi i parë i Albin Kurtit si kryeministër në ardhje, ishte kapja e shtetit përmes “kapjes së sindikatave”.

Ky është postimi i plotë i Abelard Tahirit:

Albin Kurti, ende pa marrë mandatin për të drejtuar ekzekutivin, dje organizoi një takim me sindikatat e vendit për t’i mësuar se si duhet të sillen dhe sa të forta duhet të jenë në mbrojtje të të drejtave të tyre. Që nga themelimi i saj, Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë pretenduar se përfaqësojnë masën kolektive të asaj çfarë është një shoqëri solide. Por tashmë kur pritet ta themelojë qeverinë që do ta drejtojë vetë, z Kurti u kujdes që në vigjilje të hapave të tij si kryeministër i ardhshëm, të marrë masa për të neutralizuar instrumentin më të fuqishëm të përfaqësimit të nevojave kolektive të punëtorëve, sindikalizmin. Nuk ishte aty për zgjidhje, sepse zgjidhjet nuk i ka. Por ishte aty për të filluar kapjen e shtetit përmes “kapjes së sindikatave”. Ai ishte aty për të blerë paqe, pasi që nuk mund të jetë edhe ideologu i kolektivizmit edhe administratori që duhet ta konfrontojë atë. Ai tashmë e di se koha e liturgjisë ka marrë fund dhe koha e përgjegjësisë për të është e kudo ndodhshme. Por ai megjithatë nuk duhet të harrojë se sindikatat nuk janë mjete në duar të pushtetit, veçse kundërvënëse ndaj tij për të drejtat e tyre legjitime../gazetametro.net

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT