10.3 C
Mitrovice
E shtunë, 19 Prill, 2025
spot_imgspot_img

Sulmi në Banjskë, Gjykata lëshon letër rreshtime ndërkombëtare për 42 të akuzuarit që janë në arrati

Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka lëshuar letër rreshtime ndërkombetare për 42 të akuzuarit për rastin “Banjska”, që janë në arrati, shkruan Reporteri.net.

Letër rreshtimet janë lëshuar për për sigurimin e prezencës së këtyre të pandehurve në procedurë, “andaj pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre, me qëllim të zhvillimit të procedurës penale ndaj tyre”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ndaj dyzet e dy (42) të pandehurve të tjerë, të cilët janë akuzuar me Aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka lëshuar letër rreshtime ndërkombëtar për sigurimin e prezencës së këtyre të pandehurve në procedurë, andaj pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre, me qëllim të zhvillimit të procedurës penale ndaj tyre”, thuhet në njoftim.

Në gjykatë ndërkohë po vazhdon seanca ndaj tre të akuzuarve të tjerë për këtë rast, që janë arrestuar.

Që të tre janë deklaruar sot të pafajshëm.

Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, shumica prej të cilëve – përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – janë në arrati.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë.

Prokuroria më 9 tetor të vitit të kaluar, në seancën përgatitore, kërkoi që gjykimi të nisë edhe për të akuzuarit që nuk ndodhen në Kosovë, por avokatët mbrojtës theksuan se diçka e tillë nuk lejohet nga ligjet e Kosovës.

Gjyqtari Arben Hoti kërkoi një mendim juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit, që konstatoi se kjo çështje është “e drejtë diskrecionale” e gjyqtarit. Një vendim i tillë ende nuk është marrë.

Çka kanë thënë tre të akuzuarit – aktakuza e Prokurorisë

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, njëri prej tre të akuzuarve që gjenden në paraburgim në Kosovë është mbrojtur në heshtje.

Një tjetër ka deklaruar në Stacionin policor të Mitrovicës më 24 shtator, 2023, se një ditë më herët ka shkuar në Rashkë, ku është takuar me tre persona (po ashtu të akuzuar), me të cilët, në mënyrë të organizuar me disa vetura, kanë shkuar në Banjskë, ku u janë dhënë uniforma dhe armatim.

Atij i është thënë se “do të bëhet një barrikadë me kamion dhe një protestë, për të cilën ka menduar se është paqësore”.

“Por, pasi ka pranuar uniformën ushtarake-taktike dhe armatimin, aty e ka kuptuar se diçka nuk është në rregull, por se është detyruar t’u bindet urdhrave”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, ai ka thënë se gjatë natës ka qëndruar në një veturë dhe pastaj në afërsi të një ujëvare dhe në mal, dhe se “asnjëherë nuk ka shtënë me armë”.

Më vonë, ai i është dorëzuar Policisë së Kosovës.

Ai, po ashtu, ka deklaruar se rreth dhjetë vetura të tipit Jeep pa targa, kanë ardhur nga Serbia me rreth 50 persona, shumicën e të cilëve ka thënë se nuk i ka njohur.

“Gjithashtu, ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë presion apo kërcënim për të marrë pjesë në këtë grup dhe se vullnetarisht është bërë pjesë e tij…”.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT