20.4 C
Mitrovice
E premte, 22 Maj, 2026
spot_img
spot_img

Studenti i reagon Kurtit: Studentët nuk janë për fushatë, studentët janë për laboratorë, biblioteka, dhe për kushte dinjitoze studimi

Studenti Granit Spahiu ka reaguar ndaj qasjes së Qeverisë ndaj studentëve, duke kritikuar mungesën e kushteve dhe mbështetjes reale për të rinjtë gjatë viteve të fundit.

Në një reagim publik drejtuar kryeministrit, Spahiu theksoi se studentët nuk duhet të shihen si mjet për fushata politike, por si një kategori që meriton investim serioz në arsim, laboratorë, biblioteka dhe kushte dinjitoze studimi.

Ai kritikoi faktin se, sipas tij, për gjashtë vite qeverisje janë dhënë shumë premtime për rininë, ndërsa realiteti në universitete ka mbetur i rëndë, me mungesë të kushteve bazike, sallave të stërmbushura dhe mungesë të praktikave profesionale

Spahiu përmendi edhe ndihmën prej 100 eurosh për studentët, duke e cilësuar atë si të pamjaftueshme dhe të lidhur me periudha zgjedhore.

“Kur 100 euro ndahen në 72 muaj qeverisje, i bie rreth 1.38 euro në muaj. Me aq para sot nuk blihet as një tost në ditë”, u shpreh ai.

Sipas tij, nëse kjo ndihmë konsiderohet reale, atëherë ajo duhet të bëhet e rregullt dhe jo të shpërndahet vetëm në kohë zgjedhjesh.

Studenti ngriti shqetësim edhe për bursat e mobilitetit, duke thënë se ato nuk kanë përfshirë të gjithë studentët për shkak të kritereve të të ardhurave familjare, ndërsa kostoja e jetesës në Prishtinë është bërë e papërballueshme për shumicën e familjeve.

Ai theksoi se shumë studentë detyrohen të punojnë me orare të gjata për të përballuar jetesën dhe studimet, duke ndjekur ligjëratat të lodhur dhe pa kushte normale studentore.

Në reagimin e tij, Spahiu kritikoi edhe shpenzimet për fushata dhe propagandë politike, duke thënë se miliona euro shpenzohen për reklama e organizime, ndërsa për studentët arsyetohet mungesa e buxhetit.

Në fund, ai ngriti shqetësimin për largimin e të rinjve nga Kosova, duke theksuar se studentët nuk kërkojnë luks apo privilegje, por vetëm kushte minimale për të studiuar me dinjitet në vendin e tyre.

TË FUNDIT

TË FUNDIT