Gjykata Speciale nxori sot një vendi, ku e detyron ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, t’ua paguajë 207 mijë euro viktimave të vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe torturës.
Pas kësaj, Trupi gjykues i bëri thirrje Kosovës të miratojë ligjet e nevojshme dhe të krijojë mekanizëm për zhdëmtim me qëllim kompensimin e plotë të viktimave të krimeve, transmeton Paparaci.
Sipas Speciales, “trupi gjykues nënvizoi se në krijimin e një mekanizmi për zhdëmtim duhet shqyrtuar mundësia e financimit të tij përmes buxhetit të Kosovës, meqë mbrojtja e të dyshuarve dhe të akuzuarve para DHSK-së financohet përmes atij buxheti”.
“Trupi gjykues vlerëson se një përdorim i barabartë i buxhetit do të promovonte mandatin e DHSK-së. Fondi duhet të mbështetet financiarisht para se gjithash nga Kosova dhe shtetet donatorë të tjerë që dëshirojnë të ofrojnë mbështetje viktimave”, tha trupi gjykues të enjten.
Më 16 dhjetor 2022, Mustafa u dënua me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale, si i akuzuar për këto vepra, që sipas gjykatës janë kryer në vitin 1999, kur në Kosovë po zhvillohej luftë në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit (ZOLL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.