Në kuadër të aksioneve të vazhdueshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, Inspektorati Farmaceutik ka zhvilluar një kontroll të gjerë në barnatoret private të Komunës së Mitrovicës Veriore.
Gjatë inspektimit, autoritetet zbuluan sasi të mëdha produktesh medicinale të paautorizuara për tregun vendas.
Sipas njoftimit, produktet e gjetura ishin të pajisura me banderola të vendeve të tjera, si Serbia dhe Maqedonia, apo në disa raste ishin pa banderolë fare, duke shkelur ligjin për tregtimin e barnave.
“Gjatë inspektimit u hasën sasi e madhe e produkteve medicinale të paautorizuara për tregun vendas. Produktet e gjetura ishin të pajisura me banderolë të Serbisë, ose të Maqedonisë ose dhe pa banderolë. Në njërën nga barnatoret e qytetit u hasën edhe produkte medicinale me banderolë të kuqe që janë të dedikuara për sektorin publik të shëndetesisë dhe janë falas për qytetarët apo janë të dhuruara si donacione për Spitalin e Mitrovicës Veriore. Të njëjtat janë keqperdorur duke u dërguar në barnatore private për t’u shitur”, thuhet në njoftim.
Të gjitha produktet e paautorizuara u konfiskuan nga Inspektorati Farmaceutik dhe në ditët në vazhdim do të ndiqen procedurat ligjore përkatëse.
Ministria e Shëndetësisë apelon te qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi apo dyshim lidhur me barnat dhe produktet medicinale në inspektoratet përkatëse, për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e përgjithshëm të popullatës./Arbresh.info