8.1 C
Mitrovice
E mërkurë, 8 Janar, 2025
spot_imgspot_img

Sizmologu kosovar tregon se vendi mund të goditet nga tërmete deri në 6.5 shkallë: Jemi zonë me aktivitet sizmik të lartë

Tërmete të shpeshta janë dëgjuar e vërejtur nga qytetarët e Kosovës përgjatë ditëve të fundit. Por jo vetëm kaq.

Dridhjet e tokës apo njohur ndryshe si tërmete të pranishme kanë qenë gjatë kësaj kohe edhe në vendet e afërta të rajonit, si në Shqipëri e në Maqedoni të Veriut.

Por për fat të mirë, nga këto tërmete nuk pati asnjë dëm e asnjë person të lënduar. Kësisoj ato u regjistruan pa dëme materiale e në njerëz.

Këto tërmete dëshmuan se rajoni është në një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë, e gjithë kjo si shkak i shtrirjes gjeografike.

Drejtori i rrjetit sizmologjik në Ministrinë e Ekonomisë dhe njohësi i çështjes Shemsi Mustafa, për lajmi.net ka thënë se Kosova në të kaluarën është goditur me disa tërmete të fuqishme, që kanë arritur magnitudën deri në 6.0 shkallë të Rihterit.

Sipas tij, kjo dëshmon se Kosova është një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë.

“Kosova është një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë, e cila në të kaluarën është goditur disa herë me tërmete të fuqishme në zonën e Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, me magnitudë 6.0 të shkallës të Rihterit dhe kjo tregon që janë zona që edhe në ardhmen mund të goditen me tërmete edhe më të fuqishme. Pra ne çdo herë i referohemi hartës të rrezikut sizmik, e cila bën llogaritje të disa parametrave”, tha ai.

Duke folur se cilat rajone të Kosovës janë më të rrezikuara nga tërmetet, Mustafa tha se zona e Istogut, Pejës dhe Prizrenit në të kaluarën janë goditur nga tri tërmete të fuqishme, e që mund të goditen edhe në të ardhmen.

Përveç tyre, ai tha se edhe zona veriore e Kosovës mund të goditet nga tërmete të fuqishme, duke u bazuar në të kaluarën.

“Bazuar në Hartën e rrezikut Sizmik kemi tri zona me aktivitet sizmik më të lartë. Këto zona janë Istog, Pejë dhe Prizren, pra komplet rrafshi i Dukagjinit që në kaluarën është goditur me tri tërmete të fuqishme dhe mund të goditet edhe në të ardhmen. Pastaj është zona Ferizaj, Viti e Gjilan që në vitin 2002 është goditur nga tërmeti 6.1 shkallë të të Rihterit. Gjithashtu është zona veriore e Kosovës që në të kaluarën është goditur nga tërmete me magnitudë deri në 5 shkallë të Rihterit. Të gjitha këto tregojnë se jemi në një zonë sizmike dhe mund të ndodhin tërmete të fuqishme”, thekson Mustafa.

Në lidhje me atë se çka e bën Kosovën vend me aktivitet sizmik të lartë, Mustafa tha se vendi ynë futet në një rreze prej 300 deri 400 kilometra nga kontakti i pllakave tektonike të Euroazisë dhe Afrikës, fërkimi i të cilave shpesh çon në lëkundje të tokës.

Për këtë ai përmendi edhe tërmetin e mëngjesit të sotëm me magnitudë 7.1 në Tibet të Azisë, ku mbetën të vdekur afër 100 persona.

“Kosova futet në një zonë ku përfshihet në një rreze prej 300 deri 400 kilometra nga kontakti i pllakave tektonike të Euroazisë dhe Afrikës. Pllaka e Euroazisë fërkohet me disa pllaka, e njëra prej tyre është pllaka e Afrikës, e Arabisë dhe pllaka e Indisë, ku ditëve të fundit ka pasur disa tërmete. Më i fundit ishte tërmeti në Tibet, që erdhi nga kontakti i pllakës së Euroazisë me disa pllaka jugore. Nga ky kontakt, në rreze prej 300-400 kilometrave përfshihen disa zona, diku më pak e diku më shumë”, tha ai.

Ndërkaq, i pyetur se cili mund të jetë tërmeti më shkallën më të lartë që mund ta godasë Kosovën, Mustafa tha se sipas Hartës Sizmike, vendi mund të goditet nga tërmete të magnitudës prej 6.2 deri në 6.5 të shkallës së Rihterit.

Ndryshe dy tërmete, njëri me magnitudë 2.6 dhe tjetri 2.5 sipas shkallës së Rihterit kanë goditur Kosovën në orët e pasdites së hënës, më 6 janar.

Sipas të dhënave nga Qendra Sizmologjike Evropiane e Mesdheut (EMSC), tërmeti është ndjerë në afërsi të kufirit mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Thellësia e tërmetit është raportuar të jetë 8 kilometra.

Edhe të dielën rreth orës në orën 23:12 u regjistrua një tërmet me magnitudë 2.8 në rajonin kufitar mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sizmologët theksojnë se tërmete të kësaj magnitude janë relativisht të zakonshme në rajon dhe zakonisht nuk paraqesin rrezik të madh për popullatën apo infrastrukturën.

Kosova është një vend me aktivitet sizmik të moderuar, pasi ndodhet në një zonë ku pllakat tektonike euroaziatike dhe afrikane ndërveprojnë.

Tërmetet në Kosovë zakonisht janë të intensitetit të ulët deri në mesatar – zakonisht variojnë nga 2.0 deri në 4.0 shkallë të Rihterit.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT