Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë së njësive të saj pas reshjeve të dendura të shiut që kanë shkaktuar vërshime dhe përmbytje në disa vendbanime të vendit.
Me urdhër të Komandantit të FSK-së, ekipet në gatishmëri kanë ndërhyrë në terren për shpëtimin e jetëve dhe për ofrimin e ndihmës së nevojshme, në koordinim me autoritetet civile dhe në bazë të kërkesave të pranuara nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës.
“Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të angazhuara në terren dhe mbesin në gatishmëri të plotë për të ofruar mbështetje për autoritetet civile me të gjitha kapacitetet e Mbështetjes Ushtarake,” thuhet në njoftimin e FSK-së.
Nga FSK-ja bëhet e ditur se angazhimi i njësive do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, varësisht nga zhvillimi i situatës në zonat e prekura nga vërshimet.






