Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, nuk po merakoset nga koalicioni që ka bërë Xhafer Tahiri i LDK-së me Sylejman Mehollin e Vetëvendosjes.
Në ceremoninë ku prezent ishte edhe Albin Kurti, u nënshkrua një marrëveshje, për të cilën vetë LDK-ja tha se ishte individuale, e jo qëndrim i partisë.
Megjithatë, i pari i Vushtrrisë dhe kandidati i PDK-së për këtë komunë, Ferit Idrizi, ka deklaruar se koalicionin ai e ka vetëm me qytetarët e Vushtrrisë.
“Vetë reagimi i qendrës së LDK-së tregon që nuk është marrëveshjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, po marrëveshjes individuale mes Xhafer Tahirit dhe Vetëvendosjes. Koalicionet janë formë demokratike, është normale, nuk kam diçka, përndryshe unë koalicionin e kam me qytetarët e Vushtrrisë edhe vazhdojmë tutje”, tha Idrizi për Nacionalen.
Idrizi më tutje theksoi se qytetarët e Vushtrrisë më 9 nëntor do të vazhdojnë me fitore bindëse për PDK-në.
“Nuk më frikëson sinqerisht, jam i bindur që qytetarët e Vushtrrisë kanë me vazhdu tutje, me pas fitore bindëse unë me datën 9 nëntor. Nuk më frikëson, dhe çdo rezultat e respektoj”, tha ai më tutje.
Mëngjesin e sotëm, Xhafer Tahiri i LDK-së në cilësinë e avokatit mbrojtës shkoi në seancë gjyqësore me të akuzuarin për korrupsion, Faruk Mujkën e Lëvizjes Vetvendosje.
Pak orë pas përfundimit të seancës, një lajm i bujshëm bashkë me pamje e fotografi, erdhi nga qyteti i Vushtrrisë, ku z.Tahiri, u pa duke nënshkruar marrëveshje koalicioni me kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Vushtrrisë, z.Sylejman Meholli.
Fotografia ku prapa dyshes dukej edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, zuri në befasi edhe vetë partinë e z.Tahiri, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Pas një mbledhje që kjo parti mbajti në kontekstin e situatës së krijuar në Vushtrri, nëpërmjet një njoftimi për media thotë se ‘LDK nuk ka autorizuar asnjë koalicon lokal’.
“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë” – thuhet në njoftimin e LDK-së.
Sipas LDK-së, veprimet e Tahirit, janë ‘individuale’ dhe se ‘nuk kanë ndonjë vlerë’.
Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse. Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
“Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera”, thotë kjo parti.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, komuna e Vushtrrisë doli me balotazh ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes.
Kandidati i PDK-së për kryetar komune Ferit Idrizi, mori 45,56% të votave i ndjekur nga Sylejman Meholli i Vetëvendosjes me 30,63% dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 19, 72 % të votave.