Mjekët kardiopediatër japin alarmin se numri i fëmijëve me probleme kardiake si pasojë e konsumimit të pijeve energjike po rritet çdo ditë.Në një intervistë për Euronews Albania, Numila Kunesha, shefe e Kardiologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shprehet se ndërsa rritet numri i konsultave, nuk mungojnë as rastet e shtrimeve në spital.
“Shohim se është rritur numri dhe është ulur mosha e përdorimit të pijeve energjike. I shohim fëmijët që nga mosha 9–10 vjeç dhe, për më tepër, kemi raste të shtruara në spital si pasojë e dëmeve që këto pije shkaktojnë,” – deklaron mjekja Kunesha.
Sipas saj, pijet energjike janë të ndaluara për fëmijët dhe adoleshentët, pasi ndikimet negative në shëndet janë të shumta dhe serioze.
“Këto pije përmbajnë përqindje të lartë kafeine, më shumë se kafeja, dhe kjo çon në ankth, çrregullime të gjumit, nervozizëm. Së dyti, kanë shumë sheqer, çka nxit obezitetin, prishjen e dhëmbëve dhe shton rrezikun për diabet të tipit 2. Së treti, fëmijët paraqiten me probleme në zemër dhe tru: takikardi, rrahje të shpejta zemre, dhimbje gjoksi, dhe në disa raste janë regjistruar edhe kriza epileptike,” – thotë mjekja Kunesha.Ajo shton se shumë nga këto pasoja shëndetësore instalohen që në fëmijëri dhe lënë gjurmë për gjithë jetën ndërsa apeli i saj për prindërit është i qartë:
“Të flasin me fëmijët e tyre dhe t’i ndërgjegjësojnë për dëmet që pijet energjike shkaktojnë në shëndetin e tyre”.