21.8 C
Mitrovice
E diel, 29 Qershor, 2025
spot_imgspot_img

Shtetet që e njohin Kosovën i regjistrojnë kosovarët si shtetas serbë!

Tre shqiptarë nga Ferizaj, Istogu dhe Skenderaj, janë paraqitur si shtetas serbë nga Gjermania, pasi kanë shkuar dhe janë regjistruar në shtetin gjerman, tregojnë dokumentet që i posedon Paparaci.

Shqiptarët e Kosovës të cilët kanë aplikuar për leje-qëndrim dhe leje të punës në shtetin gjerman, janë prezantuar si shtetas serbë ose serbo-malazez, në dokumentet që autoritetet gjermane i kanë aprovuar pas kërkesës së ambasadës së Gjermanisë në Kosovë.

Shumica e aplikantëve që kanë kërkuar viza në Gjermani – shtet ky që e njeh Kosovën qysh pas deklarimit të pavarësisë saj – po ballafaqohen me një problem goxha të papritur.

Rreth 98% e mërgimtarëve që aplikojnë në ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe nëpër pesë konsullatat kosovare atje që të regjistrohen, megjithëkëtë, janë shpallur si shtetas serbë dhe serbo-malazezë, nga institucionet gjermane.

Përveç shtetësisë serbe dhe serbo-malazeze, atyre u figuron edhe shtetësia kosovare në dokumente.

Paparaci ka siguruar disa dokumente që janë lëshuar nga Gjermania – shtet me të cilin Kosova i shënoi 15 vite marrëdhënie diplomatike para pesë muajsh – ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë aplikuar për vizë në ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.

Në këto dokumente që lidhen ose me viza për leje-qëndrimi apo leje të punës, tre shqiptarë nga Kosova janë të shënuar – ndër të tjera – si serbë. Këta qytetarë vinë nga Ferizaj, Istogu dhe Skenderaj.

Sipas tyre, autoritetet gjermane ua lëshojnë një dokument tjetër që në gjuhen shqipe quhet “premtim i shtetësisë”, shkruan Paparaci.

Ata thanë për Paparacin se në këto dokumente u shkruhet se “në rast se dëshmoni fshirjen e shtetësisë kosovare, iu premtohet marrja e shtetësisë gjermane”.

Paparaci ka provuar të kontaktojë me zëdhënës të ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, por të njëjtit ishin të paqasshëm për mediumin.

Megjithatë, një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe me Kroacinë. Paparaci, kishte raportuar më 5 korrik, 2023, se shteti kroat pati mohuar shtetin e Kosovës nëpërmjet një dokumenti të aprovuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë dhe të lëshuar nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë.

Në një vizë për leje-qëndrimi dhe leje të punës, fshati Polac i Skenderajt ishte prezantuar si pjesë e Serbisë.

Selman Kabashi nga fshati Polac i Skenderajt i cili kishte aplikuar për leje-qëndrim dhe leje të punës në shtetin kroat, thoshte se “e ka injoruar” tërësisht Ambasadën e Kroacisë në Prishtinë pas rastit të cilin e ka cilësuar skandaloz.

Ai deklaronte se në aplikimin e tij për vizë, leje të punës dhe leje-qëndrim në shtetin kroat ka paraqitur dokumente të lëshuara nga Republika e Kosovës dhe ka aplikuar me pasaportë të Republikës së Kosovës.

Mes tjerash, Kabashi ishte shprehur se ka refuzuar të shkojë për të marrë vizën në ambasadën e Kroacisë pasi është ndjerë i fyer që te adresa e vendlindjes i figuron se është shtetas i Serbisë, ani pse ka aplikuar me dokumente të Kosovës./Paparaci.com

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT