Para rreth një jave, Qeveria e Kosovës vendosi që të ndajë nga 100 euro për muajin prill. Kategoritë që përfitojnë nga kjo masë janë studentët, punëtorët e sektorit privat, atij publik dhe pensionistët. Për mënyrën se si mund të aplikoni për t’i marrë këto para dhe kushtin që duhet ta plotësoni, ka dhënë detaje Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Punëtorët e sektorit privat që duan të marrin shtesat prej 100 euro, mund të aplikojnë që nga sot.
Këtë mund ta bëjnë në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale, që është publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës.
Por, për të përfituar nga kjo masë, ata duhet ta plotësojnë një kusht. Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022.
Paratë do t’ju dalin edhe atyre që janë të deklaruar nga punëdhënësi në periudhën mars 2022, por më vonë, si dhe pasi punëdhënësi t’i ketë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj.
“Kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore 𝐬𝐡𝐤𝐮𝐫𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟐. Punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022”, ka njoftuar Ministria.
Ky institucion ka apeluar te qytetarët edhe që të kenë kujdes gjatë plotësimit të formularit, meqenëse nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, s’do të mund t’i marrin shtesat.
“Vlen të theksohet se të dhënat duhet të jenë të sakta, dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë bankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi”, thuhet në njoftim.
Punëtorët e sektorit privat kanë kohë të aplikojnë për këto shtesa deri më 20 maj, derisa s’është dhënë ndonjë afat se kur mund t’i marrin mjetet.
E për dallim prej tyre, punëtorët e sektorit public s’kanë fare nevojë që të aplikojnë. Atyre do t’iu dalin 100 eurot bashkë me pagën e muajit prill.
“Të punësuarit e sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit nuk kanë nevojë të aplikojnë sepse subvencionin do ta marrin me pagën e muajit prill”, ka bërë me dije Ministria.
Për aplikim s’kanë pasur nevojë as pensionistët. Edhe atyre u kanë dalë shtesat me pensionin e muajit prill.
Ndërkohë, për studentët nuk është hapur ende aplikimi, por që pritet të bëhet përmes portalit e-Kosova.
Një person s’mund të përfitojë dy herë
Secili person do të mund të përfitojë vetëm një herë nga mbështetja e qeverisë prej 100 milionë euro për punëtorët, studentët e pensionerat.
Ministri Hekuran Murati ka deklaruar se një punëtor, nëse është edhe student, nuk mund të aplikojë dy herë për të marrë nga 100 euro
“Normalisht se do të ketë kritere dhe kufizime sa i përket kualifikimeve dhe përfitimeve nga këto. Si ministër i financave më delegohet nga qeveria që unë të jem ai që i përcakton kriteret. Vitin e kaluar kur e kemi bërë këtë për pensionistë, përfituesit ishin të gjithë nga një herë. Nuk mund pra një person të përfitojë dy herë nga skema të ndryshe. Do të përfitojnë vetëm ata që e kanë rrogën nën 1000 euro”, ka thënë ai në ATV.
“E tash, kufizimi do të jetë që nga të gjitha këto masa do të përfitohet vetëm një herë. Me atë që shkon i pari përfiton. E kemi listën. Do të shkojmë me numra të verifikimit. Nëse del që një person ka përfituar nga sektori publik ose privat, pastaj tenton të përfitojë si student, atëherë do të refuzohet”, shtoi ai.
Po ashtu, ai tha se të gjithë studentët do të përfitojnë pavarësisht a studiojnë në universitete private apo publike.
“Të gjithë studentët e të gjitha universiteteve. Edhe sektorit publik, por edhe privat”, përfundoi ai./Reporteri.net