Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jahir Dedia Nimani, ka reaguar ashpër pas disa pretendimeve që mohojnë pjesëmarrjen e tij në luftën e UÇK-së, duke i quajtur ato shpifje të ulëta dhe sulme ndaj vlerave të tij kombëtare.
Në një reagim publik, Nimani ka theksuar se ka shërbyer me nder e respekt gjatë gjithë jetës së tij dhe se do të jetë gjithmonë në shërbim të popullit dhe atdheut, sa herë që kërkohet.
“Kam shërbyer me nder e respekt gjithë jetën time, dhe sa herë që ka nevojë, do t’i shërbej sërish popullit, atdheut dhe kombit tim.
Gjatë gjithë shërbimit tim, kam respektuar çdo rregull dhe çdo urdhër komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër,” – ka shkruar ai.
Nimani ka falënderuar bashkëluftëtarët e tij për mbështetjen dhe për publikimin e një fotografie të realizuar në vitin 1998, që sipas tij vërteton pjesëmarrjen e tij në luftë, në krah të babait të tij, komandantit të ndjerë Niman Dedia.
“Faleminderit bashkëluftëtarëve për këtë foto që ma kanë dërguar, dhe për guximin që po flasin të vërtetën ndaj një shpifjeje të ulët që më është bërë për vlerat e mia kombëtare, nga një njeri i lig, duke përdorur disa politikanë me lidhje familjare me shpifësin, një njeri që përpiqet të paraqitet si zëri dhe udhëheqësi i qytetarëve të Mitrovicës.”
Në fund, ish-ushtari i UÇK-së ka dërguar një mesazh të fortë ndaj atyre që, sipas tij, “janë shitur për pak pushtet apo interesa politike”.
“Kjo foto është për ata që sot u është bërë gjaku ujë dhe janë shitur për pak pushtet, apo për interesa të dikujt tjetër.
Burrat nuk shiten.
Burrat lindin, nuk bëhen.
Lindin burra dhe vdesin burra,” – ka përfunduar reagimin e tij Nimani.
Credits: Jepi zë