Si akt terrorist e ka cilësuar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shpërthimin në fshatin Varagë të Zubin Potokut ku si pasojë është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Sipas Sveçlës në këtë incident është i përfshirë shteti i Serbisë.
“Diku para orës 19:00 sipas raportimit të Policisë është dëgjuar një shpërthim ku pas lajmërimeve policia ka ardhur në vendin e ngjarjes, si rezultat i një akti terrorist një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, e cila është e cilësuar si infrastrukturës kritike është dëmtuar”, ka thënë Sveçla.
Nga vendi i ngjarjes në një prononcim për media, Sveçla ka pranuar se Serbia ka arritur të fus sërish armatim në Kosovë.
“Nuk po flasim për armë të vogla, por po flasim për eksplozivë që nuk është e lehtë të gjendet në tregun e zi, kjo patjetër se vjen nga rezervat nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë ai./AlbanianPost