Pasojat e ndryshimeve klimatike me shkaktar njeriun kanë filluar të manifestohen në forma të ndryshme të fatkeqësive natyrore nëpër vende të ndryshme të botës, shkruan Mitrovica SOT.
Pas zjarreve në Turqi e Shqipëri ditëve të fundit, ato kanë filluar të paraqiten edhe në qytete të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë edhe Mitrovicën.
Bëhet fjalë për fshatin Koshtovë e Vllahisë e komunës së Mitrovicës, ku ka shpërthyer zjarri në pjesë malore e toka bujqësore.
Eshtë raportuar se zjarri po përhapet dhe rrezikon edhe fshatrat Cerajë dhe Bistricë.
Ndryshe, disa javë më parë mediet ndërkombëtare kanë raportuar për vërshime masive në vendet e ndryshme të Evropës, me theks të veçantë në Gjermani ku pati pasoja të konsiderueshme materiale dhe në njerëz. Kjo provokoi edhe reagimin e shkencëtarëve klimatikë të cilët vazhdimisht kanë paralajmëruar për forma të ndryshme e të pazakonta të fatkeqësive natyrore si pasojë e çrregullimit të ekuilibrit klimatik.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se nëse vendet e zhvilluara nuk ndërmarrin hapa urgjentë për luftimin e ndryshimeve klimatike, atëherë pasojat për botën e gjallë, duke përfshirë llojin njerëzor, do të jenë katastrofike.



