Policia e Shtetit kanë gjetur një vajzë të mitur që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit.
Punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, vajzën 9-vjeçare nga Kosova.
Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një familje pushuesish nga Kosova, se vajza e tyre e mitur ishte larguar dhe nuk po e gjenin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë që patrullojnë me biçikleta në zonën e plazhit në Shëngjin u angazhuan në kërkime intensive në terren.
Falë reagimit të shpejtë dhe profesional, punonjësit e Policisë bënë të mundur lokalizimin e vajzës, e cila gëzonte shëndet të plotë, dhe ia dorëzuan familjes.
Prindërit e vajzës kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e shpejtë dhe profesional që bëri të mundur gjetjen e të miturës.
Policia e Shtetit u bën apel pushuesve që të tregojnë kujdes për fëmijët./indeksonline