Hapa konkretë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në drejtim të uljes së tensioneve, kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të ketë përmirësim të marrëdhënieve dhe rifillim të bashkëpunimit me qeverinë në detyrë.
Këto komente i kanë bërë në Ambasadën e SHBA-së kur janë pyetur nëse Dialogu i planifikuar strategjik, i cili u pezullua nga SHBA-ja, ka qenë pjesë e diskutimit në takimet që liderët e Kosovës patën në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë derën e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës, por me kushtin që qeveria në detyrë të angazhohet për t’i ulur tensionet.
Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i pyetur nëse çështja e pezullimit të dialogut të planifikuar strategjik do të trajtohet në takimet me liderët e Kosovës që morën pjesë në margjinat e sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
“Siç ia kemi bërë të qartë qeverisë në detyrë, dera është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit. Megjithatë, kjo kërkon hapa konkretë nga kryeministri në detyrë Kurti për të ulur tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet ekonomik të ndërsjellë. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, kanë thënë për KOHËN në Ambasadën e SHBA-së.
Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën, qeveria në detyrë nuk dha sinjale se do të ketë ndryshim kursi ashtu siç kërkuan Shtetet e Bashkuara.
Deri tash në asnjërin prej takimeve të realizuara, për të cilat qeveria lëshoi komunikata, nuk përmendet Dialogu strategjik.
Po ashtu deri tash kanë munguar edhe takimet me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit.
E në një takim me studentë në SHBA, Kurti ka thënë se Shtëpia e Bardhë ka pezulluar Dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të mbylljes së strukturave ilegale serbe në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë serbe.
“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, ka deklaruar Kurti.
Por një zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit tha për KOHËN ditë më parë se “Kurti e shkeli vijën e kuqe”, me përpjekjen për ta penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, veprim ky që çoi në vendimin e SHBA-së për pezullim të Dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën.
Zyrtari i DASH-it ka thënë se dyert e bashkëpunimit janë të hapura nëse kryeministri në detyrë, Kurti, ndërmerr veprime konkrete.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ishte bashkuar të enjten e kaluar dy udhëheqësve të tjerë institucionalë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Të hënën Zyra e kryeministrit njoftoi se në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Mike Lawler, njëherësh anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Diskutuan për mënyrat se si të thellohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë te bashkëpunimi ekonomik, investimet e huaja direkte dhe shkëmbimet tregtare, si dhe për rolin e rëndësishëm të diasporës sonë në këtë drejtim. Kryeministri Kurti e njoftoi kongresistin për zhvillimet e fundit në vend dhe progresin e arritur vitet e fundit në ekonomi, demokraci, siguri dhe sundimin e ligjit”, shkruan në komunikatë.
“Gjithashtu diskutuan edhe për rreziqet dhe sfidat e ndikimit rus në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kongresmeni Lawler, në këtë takim, e informoi kryeministrin Kurti për vendimin e tij për t’iu bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan”.
Por Kurti e ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, kanë qëndruar në Shtetet e Bashkuara me agjenda të ndara nga presidentja Vjosa Osmani. Nuk është njoftuar për zhvillimin e ndonjë takimi të përbashkët të tyre me udhëheqës të shteteve të tjera, përfshirë ata të Shteteve të Bashkuara.
Me takimeve të realizuara, Osmani kishte postuar edhe një fotografi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, e sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio. Por as ajo nuk ka treguar nëse ka folur për pezullimin e Dialogut të planifikuar strategjik./koha.net