Marrëveshja për hekurudhat, linjën ajrore dhe autostradën që lidh Kosovën me Serbinë- janë temat me të cilat do të nisin takimet në Shtëpinë e Bardhë, nën ndërmjetësimin e emisarit amerikan, Richard Grenell.
Edhe përgatitjet e delegacionit të Kosovës janë bërë rreth këtyre temave, ku pritet të prezantohen projektet me qëllim finalizimin e letrave të interesit, që ishin arritur në shkurt të këtij viti në Gjermani.
Njohja e ndërsjellë, të cilën e ka proklamuar kryeministri Hoti në vazhdimësi, nuk është në agjendë, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që kjo të shtrohet për diskutim në takimin e së premtes nëse pajtohen të dyja palët.
Njohësi amerikan i çështjes së Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se me diskutimet për linja ajrore e hekurudhore janë vendosur pritje të vogla që arrihet te diçka e madhe.
“Nuk e di se çka mund të jetë, por përmendet një zgjidhje speciale ekonomike rreth brezit kufitar mes dy vendeve. Pra mund të ketë diskutime për “Trepçën” e Gazivodën. Por këto duket vështirë të realizohen për shkak se implikojnë çështje të sovranitetit”, ka thënë Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins.


