22.6 C
Mitrovice
E martë, 22 Prill, 2025
spot_imgspot_img

Seria e Trepçës, paralajmërim për rivalët

Prej xhiros së tetë, skuadra e Trepçës nuk di për humbje në Superligën e Kosovës në basketboll. Është në seri prej dhjetë fitoreve, e cila nisi pas disfatës në Mitrovicë nga Golden Eagle Ylli (71:68). Pas humbjes në “Minatori”, Trepça nisi t’i rreshtojë fitoret për t’u forcuar në krye të tabelës me 32 pikë, tri më shumë se kampionia në fuqi, Peja, të cilën mitrovicasit e mposhtën vikendin e shkuar.

Triumfi ndaj Pejës në palestrën “Karagaçi” me rezultatin 85:69 është sinjal se Trepça këtë edicion është favoritja kryesore në garën për titullin e kampionit. Me fitoren në Pejë dhe me serinë e sukseseve, Trepça veçse ka paralajmëruar skuadrat e tjera, tha basketbollisti Drilon Hajrizi të martën për KOHËN. Ai është lider i skuadrës mitrovicase.

Hajrizi ka thënë se Trepça më në fund po duket ekip i kompletuar në çdo aspekt dhe do të tentojë ta fitojë secilën ndeshje deri në fund të edicionit. Sipas Hajrizit, krahas lojtarëve dhe angazhimit të madh të kryesisë, merita të mëdha për këtë seri ka trajneri Adis Beqiragiq.

“Ka tre vjet që po tentojmë të fitojmë një stabilitet dhe kemi bërë shumë tentativa, që po duket se kanë rezultuar këtë edicion më formën fantastike që e kemi treguar xhirot e fundit. Jemi në seri prej dhjetë fitoreve, e cila besoj se do të vazhdojë, për shkak se po punojmë me përkushtim të madh për ta mbajtur këtë ritëm. E gjitha kjo është si rezultat e punës së trajnerit tonë”, ka thënë Hajrizi.

“Me punën dhe përkushtimin që e kemi, besoj se do të përmirësohemi edhe më shumë nga ndeshja në ndeshje dhe do të shfaqim lojëra edhe më të mira. Kjo seri na motivon që të vazhdojmë fuqishëm deri në fund të edicionit”.

Hajrizi ka vetëm fjalë të mira për trajnerin Beqiragiq. Tekniku boshnjak mori drejtimin e Trepçës para fillimit të këtij edicioni, ndërsa në Kosovë ka punuar edhe te Golden Eagle Ylli dhe te Peja. Me Pejën ka fituar Kupën e Kosovës, ndërsa me Yllin dy tituj të kampionit. Me Beqiragiqin në krye, ekipi i Trepçës duket se është në nivel tjetër në krahasim me dy edicionet e kaluara.

“Një prej pikave kryesore te Trepça është trajneri, i cili është shumë profesional, ka përvojë, seriozitet të madh, e njeh ligën dhe lojtarët, si dhe po bën një punë të madhe. Trepça është në nivel tjetër në krahasim me dy edicionet e fundit, në të cilat po ashtu ka pasur ekipe të mira. Mirëpo, këtë herë jemi të gjithë të përkushtuar maksimalisht në punën tonë drejt synimit të madh, që është titulli i kampionit”, është shprehur Hajrizi. “Puna dhe angazhimi i të gjithë sektorëve të klubit po e jep rezultatin që e kemi tani dhe ky është një sinjal i mirë se Trepça është në rrugën e duhur për ta fituar titullin”.

Sipas Hajrizit, ka ardhur koha që Trepça ta kthejë titullin në Mitrovicë. Për herë të fundit, Trepça është shpallur kampione e Kosovës në vitin 2012. Në dy edicionet e fundit, Trepça arriti deri në finale të plejofit, por u mposht nga Ylli, përkatësisht Peja.

Hajrizi po luan këtë edicion me mesatare prej 15.4 pikëve, 6.9 kërcimeve dhe 3.7 asistimeve. Rezultatet e “xehetarëve” janë meritë edhe e formës së tij të lartë.

“Natyrisht, ka ardhur koha që titulli të kthehet në Mitrovicë, pasi ky qytet e meriton këtë trofe për shkak të pasionit të madh që e ka për ekipin dhe basketbollin në përgjithësi. Dy edicionet e fundit ishim afër titullit, ndërsa këtë herë duam ta fitojmë”, insiston Hajrizi.

Para se të vijë deri te garat e plejofit, Trepça muajin tjetër ka një mision të vështirë. Synon ta mbrojë Kupën e Kosovës, trofe që e ka fituar dy edicionet e fundit. Në muajin shkurt do të mbahet “Final 8” i Kupës së Kosovës. Turneu final i Kupës mbahet në Gjakovë, ndërsa Hajrizi thotë se Trepça i ka synimet e qarta.

“Fillimisht e duam kupën dhe pastaj të vazhdojmë rrugëtimin drejt titullit të kampionit. Kemi triumfuar dy herë rresht në kupë dhe duam ta fitojmë për herën e tretë këtë trofe, i cili do të na motivonte në rrugën drejt titullit”, u shpreh 32-vjeçari.

“Është e rëndësishme se ne po përgatitemi për çdo ditë dhe po shkojmë ndeshje pas ndeshjeje duke i analizuar të gjithë kundërshtarët një nga një”.

Trepça e ka nisur edicionin me fitimin e Superkupës së Kosovës, si dhe për herë të parë në histori të klubit është paraqitur në fazën e parë të grupeve të FIBA Europe Cup. Por nuk arriti të avancojë tutje.

Ndeshjen e radhës në kampionat, Trepça e ka kundër skuadrës së Vëllaznimit. Ndeshja luhet në fundjavë në palestrën “Minatori”.

©Tahir Sopi / KOHA.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT