15.7 C
Mitrovice
E enjte, 28 Gusht, 2025
spot_imgspot_img

Serbia paralajmëron për hapa të ardhshëm për zgjedhjet e 3 prillit

Udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të hënën se autoritetet e Kosovës duan t’i pengojnë serbët e Kosovës që të votojnë më 3 prill në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

Petkoviq e cilësoi si “gënjeshtër” dhe “mashtrim” deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se ka vullnet të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e tij, “qëndrimi i Republikës së Serbisë dhe organeve të saj shtetërore lidhur me situatën e re do të shpallet nesër (22 mars), pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kur edhe do të vendoset për hapat e ardhshëm”, transmeton Radio Evropa e Lirë.


“Beogradi zyrtar pret që vendet e Quint-it të marrin qëndrim të qartë dhe pa mëdyshje për shantazhin dhe sabotimin e Prishtinës, si dhe për shkeljen e të drejtave themelore, civile dhe demokratike të serbëve nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

NUK KA KËRKESË NGA SERBIA PËR MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

Autoritetet në Kosovë më 21 mars kanë bërë të ditur se Serbia nuk ka bërë ndonjë kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve brenda territorit të Kosovës.

Më 14 mars, Mimoza Kusari – Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë qeverisëse në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se Beogradi u është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, por, siç ka thënë ajo, autoritetet sovrane në Kosovë janë Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar javën e kaluar se është në kontakt me shtetet e Quint-it që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në këto zgjedhje. Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por as të mos cenohet shtetësia e Kosovës.

Në fillim të këtij viti, institucionet e Kosovës lejuan që serbët e Kosovës të votojnë për një referendum kushtetues të Serbisë vetëm përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë dhe postës.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT