Serbia ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, lidhur me lumin Ibër, duke e akuzuar Tiranën për përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga, siç pretendon Beogradi, gjendja e komunitetit serb në Kosovë.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, pala serbe thotë se Shqipëria nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për të përcaktuar mënyrën se si Serbia menaxhon burimet ujore në territorin e saj.
“Lumi Ibër nuk rrjedh përmes Shqipërisë dhe Shqipëria nuk është shtet bregdetar brenda pellgut të tij. Prandaj, Shqipëria nuk ka asnjë bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar një rol në përcaktimin e mënyrës se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe detyrimet ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Serbia pretendon gjithashtu se Tirana po ndërhyn në këtë çështje, ndërsa, sipas saj, hesht për atë që i cilëson si “shkelje të vazhdueshme të të drejtave themelore të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, si dhe për sulmet ndaj pronës serbe.
Në reagim përmendet edhe koncepti i “Shqipërisë së Madhe”, duke theksuar se, sipas Beogradit, “nuk ka vend për një Shqipëri të Madhe — apo për ndonjë projekt tjetër të bazuar në ekspansionizëm etnik dhe ndryshimin e kufijve — në të ardhmen evropiane të rajonit”.
“Serbia është shtet sovran dhe do të vendosë vetë se si t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Shqipëria nuk do t’i marrë këto vendime, dhe as askush tjetër jashtë Serbisë”, thuhet më tej.
Pala serbe ka kritikuar edhe interesimin e Shqipërisë për politikën e jashtme të Serbisë dhe takimet që zhvillon Beogradi me shtetet e tjera.
“Do të ishte më e mençur të ulnim retorikën dhe të ktheheshim te e vetmja rrugë që mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë për rajonin tonë: marrëdhënie të fqinjësisë së mirë të bazuara në respektin reciprok, barazinë sovrane dhe bashkëpunimin e vërtetë”, përfundon reagimi./Zëri




