10.3 C
Mitrovice
E premte, 29 Maj, 2026
spot_img
spot_img

Serbët në Veri largojnë nga puna shqiptarët me arsyetimin se nuk i plotësojnë kriteret

Janë bërë 5 muaj prej kur Lista Serbe e rimori udhëheqjen e komunës në Mitrovicë të Veriut.

Me të marrë detyrën, kjo parti nisi edhe vendimet për largim nga puna të shqiptarëve që punojnë në institucione atje.

Disa shqiptarë u detyruan të largohen nga puna që kryenin në zyrën e komuniteteve, në sallën e sporteve e nëpër institucione shëndetësore.

“Arsyetimi sipas tyre gjithmonë është se nuk e kanë kryer detyrën e tyre si duhet, ose nuk i plotësojnë kriteret. Unë jam shqiptar, 90 për qind janë serb aty, unë s’e di serbishten, ata nuk e dinë shqipen, a është kusht apo problem, nuk e kanë kusht me ditë gjuhën serbe”, deklaroi asamblisti nga Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Emin Azemi.

Azemi apelon që secili që ndihet i kërcënuar duhet të procedojë me ndjekje penale.

“Nëse ata e ndjejnë veten se janë të kërcënuar, në njëfarë forme iu është bërë e padrejtë, mund ta procedojnë penalisht secilin, i cili e merr guximin të ushtrojë çdo lloj presioni që ai/ajo të largohet nga puna”.

Sipas zëvendëskryesueses së Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Aida Ferati-Doli, ka pasur raste që shqiptarët janë rikthyer në vendet e tyre të punës.

“Kemi një motër medicinale në Kodër të Minatorëve, që është larguar nga puna si i ka bërë gjashtë muaj, për shkak të performancës, po fatmirësisht që Këshilli po i kthen këta punëtorë, secili që po bën ankesë sepse po shkelen ligjet, duke i larguar”, u shpreh Ferati-Doli për Dukagjinin.

Largimet e tilla nga puna, sipas ish-zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku, mund të ndodhin edhe për shkak të fushatës zgjedhore.

“Është kohë fushate, janë duke u keqpërdorur edhe këto, mirëpo bëj apel tek partitë politike që të mos preket dinjiteti i qytetarit, të ruhen vendet e punës, të ruhet qytetari, ndërsa këta që kanë probleme duhet të drejtohen tek ata që e mbrojnë ligjin”, deklaroi Sadiku.

Largime nga puna të shqiptarëve në veri pas rikthimit në pushtet të Listës Serbe u raportuan edhe në janar të këtij viti, saktësisht në komunën e Zveçanit.

TË FUNDIT

TË FUNDIT