Anëtari i LDK-së dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj, ka thënë se vendimi për të rrëzuar qeverinë Kurti ka qenë i drejtë dhe në të mirën e Kosovës, shkruan mitrovicasot.net
Selmanaj, në një intervistë për Express, ka thënë se ngjarjet në Capitol në SHBA – ku mbështetësit e presidentit në shkuarje të SHBA, Donald Trump, të nxitur nga deklaratat e vetë presidentit, hynë brenda ndërtesës së Capitolit me qëllimin për të pamundësuar zyrtarizimin e fitores së Biden nga Kongresi – dëshmojnë sa sa atipik dhe i paparashikueshëm është Trump dhe se kush e di çfarë do të bënte me Kosovën po të vazhdohej me qeverinë Kurti, i cili ishte konfrontuar me administratën amerikane në shkuarje.
“Sepse Shtëpia e Bardhë nën Trumpin ka qenë e paparashikueshme. Prandaj, ne është dashur të jemi të kujdesshëm, siç jemi tregu. Na kanë ftu, kemi shkuar atje dhe kemi marrë vendime të duhura për vendin. Po të refuzonim sikur z. Kurti, mos të befasohej që kish pas mundësi që z. Trump me një tweet do të thoshte që hiqen trupat nga Kosova.
Duke pasur një president atipik atje, fundi mund të jetë edhe i mirë por edhe tragjik. Z. Kurti e mori anë tjetër. Nëse kemi kryeministra të paparashikueshëm, siç ishte z. Kurti, atëherë unë mendoj që edhe vendimet, pastaj, për Kosovën mund të ishin krejtësisht të paparashikueshme”, ka shtuar tutje Selmanaj.
Selmanaj gjithashtu ka përmendur veprimet ndëshkuese që SHBA ka marrë ndaj Kosovës si pasojë e konfrontimit me administratën amerikane.
“Me mendu pas 20 vjetëve që Amerika të vendosë sanksione, një krijese të veten, kjo është e trishtueshme vetëm për ta menduar. Faza e parë ishin fondet e MCC-së, faza e dytë ndalimi i bashkëpunimit me FSK’në, tërheqja e trupave, ndalja e fondeve të USAID-it. Pra, e prekën LDK’në dhe Kosovën në pjesën më të lavdishme që e ka vendi”, shtoi anëtari i LDK’së.