Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg ka arritur sot në Kosovë ku u takua me kryeministrin Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani.
E në takimin me Kurtin, Stoltenberg ia bëri tejet të qartë Kurtit se FSK nuk mund të futet në veri pa marrëveshje me KFOR’in dhe NATO’n.
Kështu tha në deklaratën e tij vetë Stoltenberg, ku kërkoi nga autoritetet e Kosovës t’i përmbahen marrëveshjes që është bërë në vitin 2013.
Në këtë marrëveshje parashihet mos-vendosja e trupave të FSK’së në veri pa pajtimin paraprak me KFOR e NATO.
“Unë mirëpres që autoritetet e Kosovës t’i përmbahen marrëveshjes që ne bëmë në vitin 2013. Që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos vendosen në Veri pa pajtimin paraprak me KFOR dhe NATO-n dhe ky është ende rasti. Kjo pasqyron gjithashtu ndjeshmërinë dhe sfidat. Dhe unë mendoj se kjo është mënyra më e mirë për të vazhduar të gjesh ekuilibrin e duhur dhe për të shmangur situatat që mund të minojnë, dhe dobësojnë përpjekjet për të gjetur zgjidhje, dhe për të shmangur gjithçka që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd”, ka thënë Stoltenberg.
Derisa Kurti pak muaj pasi erdhi në pushtet u pyet në lidhje me deklarimin e tij të dikurshëm për një letër ku pretendohej se ish-presidenti Hashim Thaçi gjatë kohës që ishte kryeministër kishte bërë marrëveshje me NATO që FSK nuk do hynte në veri të Kosovës, e për këtë Kurti tha se kjo marrëveshje ishte një shkëmbim letrash që vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Kosovës, sipas tij.
“Dhe unë vazhdoj të qëndroj prapa asaj që kam deklaruar në shkurt të vitit 2020. Unë nuk kam akuzuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për shkëmbim të letrave dhe s’mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Kosovës që ka vënë firmën për një shkresë të tillë. NJë problematik që i ka rrënjët që 8 vite më parë s’mund të adresohet e rregullohet në një takim të vetëm që ishte takim i parë në selinë qendrore të NATO-s, atëherë e kam çuar këtë çështje në prokurori dhe i mbetet për trajtim. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe NATO-s do të vinë duke u thelluar dhe nuk keni nevojë që të brengoseni”, pati thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pati publikuar një letër ku pretendonte se Hashim Thaçi në vitin 2013 në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, ka bërë ”marrëveshje sekrete” me NATO-n, që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk do të hyjë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Letrën kryeministri Kurti ia kishte dërguar asokohe kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani (tani presidente e vendit) ku mes tjerash Kurti ngre edhe çështjen e shkarkimit të Presidentit, nëse siç thotë “konstatohet se ai ka bërë shkelje kushtetuese”.
Shkëmbimi i letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm dhe presidentit aktual, Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen është bërë me 19 prill të vitit 2013.
Por Kurti sot në takimin me Stoltenberg, zgjodhi të hesht përderisa mesazhi i sekretarit ishte shumë i qartë./gazetametro.net



