Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se zgjerimi i NATO-s, veçanërisht anëtarësimi i mundshëm i Kosovës, nuk është aktualisht në agjendë.
Në cilësinë e Kryetarit të Nënkomitetit për Evropën, Kongresmeni Keith Self shfrytëzoi kohën e tij gjatë një seance dëgjimore në Kongres me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për të nënvizuar rëndësinë e rolit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.
Duke iu referuar vizitës së tij të fundit në Kosovë, Luginën e Preshevës, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, Self e cilësoi rajonin si “jashtëzakonisht të brishtë”, duke theksuar se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është një element kyç për ruajtjen e stabilitetit afatgjatë në rajon.
Ai gjithashtu mirëpriti emërimet e fundit të ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vuri në pah nevojën për emërimin e një ambasadori të SHBA-së në Kosovë. Sipas tij, plotësimi i këtij posti mbetet me rëndësi të veçantë dhe ai pret mbështetjen e administratës amerikane për finalizimin e këtij procesi.
Megjithatë, Rubio tha se shumë shpejt në rajon pritet të ketë një përfaqësues të ri të lartë. Ai shtoi se SHBA-ja mbetet e fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe se nuk dëshiron të shohë konflikte në rajon.
Sekretari i Shtetit tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është aktualisht në agjendë, duke shtuar se kjo nuk do të thotë se “një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”.
Sidoqoftë, ai theksoi se kjo çështje nuk ka qenë temë e spikatur në bisedat e fundit me aleatët e NATO-s.
“Epo, siç e dini, Përfaqësuesi i Lartë i mëparshëm ka dhënë dorëheqjen. Prandaj ka një kandidat të ri që ne do ta mbështesim. Ai është një zotëri italian, për të cilin mendojmë se do të bënte një punë të mirë për të ndihmuar në sigurimin e njëfarë stabiliteti në atë pozicion. Përtej kësaj, ne mbetemi të angazhuar për këtë çështje, siç e keni theksuar, dhe këtë e kemi bërë edhe privatisht. Gjëja e fundit që duam të shohim është çfarëdo lloj konflikti atje, çfarëdo lloj ndarjeje, copëtimi, gjëra të kësaj natyre, që do të krijonin konflikt të mëtejshëm. Nuk mund të flas për zgjerimin e NATO-s. Do të jem i sinqertë me ju. Bazuar në takimet e mia të fundit me ministrat e jashtëm – dhe, natyrisht, ndoshta Sekretari Hexeth ka komente shtesë për këtë pikë — por të paktën ajo që unë kam perceptuar është se, aktualisht, në përgjithësi, NATO-ja është aq e përqendruar në disa nga këto çështje të tjera që janë ngritur këtu sot, saqë zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, por edhe tema të tjera, nuk është realisht në krye të agjendës së këtyre vendeve. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë. Thjesht do të thotë se, duke pasur parasysh këto pika të tjera fërkimi, kjo çështje nuk ka zënë vend të rëndësishëm në bisedat e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, ka thënë ai.




