Një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, saktësisht në fshatin Maxhunaj, ku një veturë është rrokullisur dhe ka dalë nga rruga, shkruan Gazeta Metro.
Si pasojë e kushteve klimatike dhe mos përshtatjes së shpejtësisë nga shoferët, në Kosovë thuajse çdo ditë po ndodhin aksidente të rënda trafiku dhe shumë prej tyre po përfundojnë me lëndime.
Sot në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një aksident apo saktësisht një vet-aksident ku një veturë ka dalë nga rruga.
Lajmin e ka konfirmuar për Metron edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Më herët ka pas aksident në rrugën nacionale Mitrovicë – Prishtinë, segmenti Maxhunaj. Një veturë ka dalë nga rruga dhe dy persona janë lënduar”, ka thënë Zahiti për Metron.
Tutje ai ka konfirmuar se dy personat e lënduar kanë pranuar tretman mjekësor.
Më poshtë keni fotografi nga ky aksident. //gazetametro.net



