8.9 C
Mitrovice
E premte, 20 Mars, 2026

Rritja ekonomike e 2025-ës, më e ulëta që nga viti 2018

Viti 2025 rezulton të jetë ndër vitet më të dobëta të dekadës së fundit për sa i përket rritjes reale ekonomike.

Sipas serisë tremujorshe të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ekonomia u rrit me rreth 3.6 për qind në vitin 2025.

Kjo shifër jo vetëm që mbeti nën projeksionet e institucioneve ndërkombëtare — Banka Botërore kishte projektuar 3.8 për qind, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar rreth 4.0 për qind — por e rendit vitin 2025 ndër performancat më të dobëta të dhjetëvjeçarit.

Në këtë periudhë, vetëm viti 2018, me 3.4 për qind, paraqitet më dobët, nëse përjashtojmë vitin pandemik.

Shifrat e vitit 2025 e godasin seriozisht narrativën triumfaliste që qeveria Kurti ka ndërtuar prej vitesh rreth performancës ekonomike.

Ndonëse gjatë vitit të kaluar, qeveria Kurti i kishte të kufizuara kompetencat, Kurti dhe ministrat e tij vazhduan t’i ushtronin funksionet me pothuajse kompetenca të plota, duke shpërndarë miliona euro në prag të zgjedhjeve, në fund të vitit.

Në thelb të këtij diskursi qëndron përdorimi selektiv i treguesve, ku një term është shndërruar në boshtin e komunikimit publik: “mesatarja”. Kryeministri Kurti ka përsëritur vazhdimisht pretendimin pë rritje ekonomike “mesatarisht rreth 6%” dhe “asnjëherë nën 4 për qind“.

Por po të izolohet viti 2021 — vit në të cilin Qeveria Kurti II e nisi udhëheqjen me ekzekutivit pothuajse në mesin e vitit — realiteti i rritjeve ndryshon ndjeshëm krahasuar me vitet para pandemike.

Në periudhën 2022–2025, rritja ekonomike ka qenë: 4.3 për qind, 4.1 për qind, 4.6 për qind dhe, së fundmi, 3.6 për qind. Mesatarja e këtij katërvjeçari zbret në rreth 4.15 për qind. Ajo që na mbetet është një ekonomi e vendit që po rritet më ngadalë se pothuajse çdo vit i pesëvjeçarit para pandemisë, me përjashtim të vitit 2018.

Në periudhën para pandemisë, 2012–2019, Kosova kishte vite të njëpasnjëshme me rritje reale mes 4 dhe 5 për qind, madje disa prej tyre mbi 4.5 për qind. Pas vitit 2022, ritmi asnjherë nuk ka prekur 5 përqindëshin.

Në raport me qeveritë e mëparshme, trajektorja e rritjes ekonomike është zbehur ndjeshëm. Edhe nëse viti 2025 sjell “rritjen më të lartë në rajon”, kjo do të ndodhë në një vit të dobët për gjithë Ballkanin./Nacionale

TË FUNDIT

TË FUNDIT