16.5 C
Mitrovice
E enjte, 15 Maj, 2025
spot_imgspot_img

Rritet bilanci tregtar Kosovë – Shqipëri

Në nderim të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kuvendet gjegjëse këndej e andej kufirit qenë organizatorë të mbledhjes së përbashkët, njëherit të parit të këtij lloji.

Reagimet në mbështetje dhe kundër organizimit të këtij kuvendi ishin goxha të theksuara. Gjithsesi, kësaj radhe do të rikthejmë në horizont bilancin tregtar mes dy vendeve, për të parë nëse shumëçka që u proklamua gjatë seancës së sotme ka shënuar hapa para edhe në realitet.

Numri i bizneseve ka shënuar rënie, megjithatë tregtia dhe investimet mes dy vendeve kanë shënuar rritje.

Shkak për këtë është edhe Rruga e Kombit, që ka afruar edhe më tepër shtetet, ndërsa periudha pas ndërtimit të autostradës respektive ka nxitur rritjen e qarkullimit dhe jo vetëm.


Sipas të dhënave të INSTAT e të publikuara javë më parë nga Monitor.al, për pesë mujorin e parë të këtij viti kalendarik, volumi tregtar i Shqipërisë me Kosovën (importe+eksporte) arriti në 178 milionë euro.

Kjo shifër nënkupton edhe vlerën rekorde të bilancit tregtar që s’është regjistruar asnjëherë më parë.

Investimet nga Kosova në Shqipëri
Viti 2021 shënoi 41 milionë euro investime të huaja që e kishin origjinën nga Kosova, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Ky është niveli më i lartë i investimeve nga Kosova, i regjistruar ndonjëherë në vend (shiko grafikun: Fluksi vjetor i investimeve të huaja nga Kosova në Shqipëri).

Gjithsesi, në raport me shtetet e tjera, investimet nga Kosova zunë vetëm 4% të totalit në vitin 2021.

Veç Kosova
Në anën tjetër, sa i përket Kosovës, sipas të dhënave të muajit tetor 2022, eksportet me vendet CEFTA-së arritën në 28.5 milion euro, ose 33.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 18.4 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (12.9 për qind), Shqipëria (8.7 për qind), Serbia (6.4) dhe Mali i Zi (4.0 për qind).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milion euro, ose 17.0 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.9 për qind). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0për qind), Shqipëria (4.4për qind), dhe Maqedonia e Veriut (4.0për qind).


Eksportet e Kosovës drejt vendeve të tjera arritën në 20.0 milionë euro, ose 23.2 për qind të totalit të eksporteve të saj. Është më rëndësi të theksohet se Zvicra (8.5 për qind) dhe SHBA (9.4 për qind) janë partnerët kryesorë të eksportit të këtyre vendeve.

Importet e Kosovës nga vendet e tjera arritën në 202.1 milionë euro, ose 41.4 për qind të importeve totale të saj. Turqia (15.4 për qind) dhe Kina (10 për qind) kishin peshën më të lartë të importit midis vendeve të këtij grupi. /Nacionale

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT