Fondacioni për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit ka kërkuar me urgjencë ndërhyrjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, për të shmangur largimin e avokatit kryesor të ish-presidentit nga procesi gjyqësor në Hagë.
Sipas tyre, kufizimet buxhetore të vendosura nga shteti kanë sjellë vështirësi të mëdha financiare që po rrezikojnë vazhdimësinë e mbrojtjes.
Pas largimit të avokatit amerikan Gregory Kehoe në janar të këtij viti, për shkak të mungesës së fondeve, tani edhe Luka Misetiq që mund të tërhiqet.
Në një letër të publikuar nga Klan Kosova, Fondacioni thekson se ndryshimet në udhëzimet administrative për financimin e mbrojtjes kanë pamundësuar funksionimin normal të ekipit ligjor.
“Siç edhe ju kemi njoftuar në kërkesën paraprake (të vitit 2024) vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike e bërë përmes UA për plotësimin dhe ndryshimin e UA për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë DhSK, ekipin mbrojtës të ish presidentit Thaçi e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij sepse në mungesë të mjeteve financiare jo vetëm që i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme.” – thuhet në një letër të Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”.