Ministrja e Industrisë Ndërrmasisë dhe Tregitë dyshohet se ka rrezikuar sigurinë kombëtare sipas Prokurorisë Speciale, ku në aktakuzë thuhet se Hajdari ka informuar për të dhëna sekrete Ridvan Muharremin.
Prokuroria këto prova i ka siguruar përmes disa komunikimeve në platformën “WhatsApp”, ndërsa Hajdari nëse shpallet fajtore mund të bëhet ministrja e parë që dënohet për rrezikim të sigurisë kombëtare.
Hajdari dhe dy të tjerët dyshohen se i kanë kumtuar informata të klasifikuara sekrete Ridvan Muharremit, një gastronomi që zotëron një restorant në të cilin Albin Kurti kishte shtruar disa dreka e darka zyrtare përgjatë viteve 2022 dhe 2023.
Siç raporton Paparaci, në dosjen e Prokurorisë Speciale ekzistojnë prova për zbulim të informatave sekrete ndaj tre zyrtarëve shtetërorë.
Prokuroria ka siguruar dëshmi se ata i kanë dhënë informata që konsiderohen sekrete shtetërore pronarit të restorantit “Bukë e Zemër”, Ridvan Muharremit.
Plani Strategjik, Programi Vjetor dhe Vendndodhja e Rezervave Shtetërore konsiderohen sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore. Prokuroria i ka cilësuar të tri çështjet “të rëndësishme për sigurinë e vendit”.
“Vënia në dispozicion i informacioneve me të cilat zbulohet këto 3 (tri) çështje, siç edhe ka ndodhur në rastin konkret, kur sekreti shtetëror i është kumtuar një personi të tretë të paautorizuar dhe jozyrtar, siç ka qenë i pandehuri Ridvan Muharemi, ka shkelur këtë detyrim ligjor dhe ka vënë në rrezik sigurinë e vendit në raport me këtë sekret”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Për këtë veprim, të tre të pandehurit kishin qenë në dijeni, sipas një komunikimi në një grup të platformës WhatsApp. Pjesëtar të këtij grupi të formuar në fillim të vitit 2021 ishin Hajdari, Gara e Lipovica, si dhe Ridvan Muharremi.
“Rid, ruaje për veti…”, thuhet në mesazhin që Hafiz Gara e kishte dërguar në grupin e “WhatsApp”-it, i cili sipas Prokurorisë dëshmon se të tre të pandehurit ishin në dijeni për këto veprime se dhe të njëjtat çështje “përbënin sekret shtetëror”, thuhet në komunikim që dyshohet të jetë bërë më 25 mars të vitit 2022.
Por, kjo nuk ishte hera e vetme kur tre zyrtarët zbuluan sekrete shtetërore dhe ndanë me Ridvan Muharremin informata të ndjeshme për sigurinë kombëtare.
Gati tri vite pasi e kishin informuar gastronomin e afërt me qeverinë Kurti për tri çështjet e Rezervave Shtetërore, Hajdari, Lipovica e Gara dyshohet se ia kanë “servuar” një tjetër informatë të klasifikuar “Ridit”.
Në marsin e vitit 2025, Hajdari dhe dy zyrtarët e lartë publikë ia kishin kumtuar Ridvan Muharremit në grupin e WhatsApp-it informatën e vendndodhjes së deponimit të grurit të Rezervave Shtetërore.
Komunikimet në ËhtasApp dëshmojnë se Muharremi ia kishte siguruar Ministrisë së Tregtisë një mulli për deponimin e 9,941 tonë grurë të blera nga Turqia.
“Lidhur me këtë, fillimisht i pandehuri Ridvan Muharemi, me datë 25.03.2025 përmes aplikacionit WhatsApp, në grupin e krijuar për komunikim nga e pandehura Rozeta Hajdari, në të cilin ishin të përfshirë edhe i pandehuri Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, i njofton të pandehurit se kishte siguruar një OE N.T.P. [REDAKTUAR], për deponim të grurit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Muharremi ua kishte dërguar tre zyrtarëve të MINT-it në këtë grup të WhatsApp-it numrin kontaktues të telefonit të pronarit të kompanisë.
Pronari i mullirit ku u deponua gruri i Rezervës Shtetërore, i intervistuar nga Prokuroria, ka thënë se me Ridvan Muharremin njihej që nga viti 2017.
“[Dëshmitari, v.j] të njëjtin e njihte ngase i ka dërguar miell nga mulliri për çështje të furnizimit të furrës së bukës ‘Bukë e zemër’, e cila gjendej në rrugën e Gërmisë në Prishtinë dhe lidhur me këtë ai sqaron se kishte dëgjuar nga Ridvan Muharemi se do të deponohet një sasi e grurit nga Qeveria, ku Ridvani i kishte treguar se kishte për të ardhur një sasi e grurit në emër të rezervave të shtetit dhe me këtë rast e kishte pyetur dëshmitarin se a kishin vend në mulli për me deponua një sasi të grurit”, sipas dosjes së Prokurorisë.
Në dëshminë e tij, pronari i mullirit, emri i të cilit është i redaktuar në dosjen e Prokurorisë, ka treguar se e kishte njoftuar Ridvanin se kishte vend për deponim të grurit në hapësirat e kompanisë së tij.
“Pas kësaj bisede, pas diku 10 ditë përafërsisht, ishte koha kur kishin shkuar disa zyrtar prej ministrisë të cilët kishin biseduar me babain e dëshmitarit, ku kishin shikuar se a plotësohen kushtet për deponimin e grurit dhe më pas ishte bërë marrëveshja me datën [REDAKTUAR] për deponim të grurit në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në dosje.
Edhe i akuzuari Hafiz Gara, drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore, e ka pranuar gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë Speciale se Ridvan Muharremi e ka ditur vendndodhjen e grurit të rezervave shtetërore të importuar nga Turqia.
Gara i ka thënë hetuesve të Prokurorisë se dijenia e Muharremit për vendndodhjen ishte diskutuar gjatë takimeve të rregullta mes tij dhe ministres Hajdari.
“Gjithashtu i pandehuri ka bërë të ditur se për këtë ishin në dijeni edhe Rozeta Hajdari dhe Irfan Lipovica, ngase lidhur me këtë çështje iu kishte shkruar në “WhatsApp” Ridvani, por përveç kësaj këtë e kishin diskutuar edhe mes vetë gjatë takimeve të tyre të rregullta”, thuhet në dosje.
Kryerja e veprës penale të zbulimit të fshehtësisë zyrtare është e sanksionuar me Kodin Penal.
Kjo vepër parashihet me nenin 433 të Kodit dhe personi që akuzohet për zbulim të sekretit shtetëror mund të dënohet nga gjashtë deri në tre vjet burgim. /Paparaci.com






