Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësimin e tij në një intervistë të dhënë për RTK-në, duke vlerësuar se vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri të vendit është i papërgjegjshëm dhe i dëmton serbët e kësaj zone.
Ai ka theksuar se bojkoti nuk sjell zgjidhje dhe se është koha që të gjitha palët të angazhohen në një proces demokratik për të arritur zgjidhje të qëndrueshme.
“Në një shtet të së drejtës, nëse nuk ke një fuqi që të ndryshosh gjërat, bojkoti është më së paku i nevojshëm. Prandaj, ne i ftojmë të gjithë qytetarët dhe partitë politike në veri që të bëjnë të pamundurën që të marrin pjesë në këtë proces dhe që ta përfundojmë atë”, tha ambasadori gjerman.
Ambasadori Rohde ka ftuar qytetarët dhe partitë politike në veri të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të punojnë drejt një zgjidhjeje të pranueshme për të gjithë.
Rode gjithashtu ka bërë thirrje për pranimin e një proces demokratik të ofruar nga Qeveria e Kosovës, duke shtuar se Lista Serbe duhet të marrë në konsideratë pasoja të mundshme nëse vazhdon me bojkotin.
“Ne dëshirojmë që të kemi një rezultat që kryetarët e komunave dhe kuvendet komunale të zgjidhen, që do të reflektojnë shumicën e banorëve atje dhe për momentin nuk është ajo. E kjo me bojkotimin dhe thirrjen për bojkotim, atëherë kjo shkon komplet në një rrugë tjetër. Që 18 muaj kemi vetëm bojkote dhe kjo nuk është një politikë konstruktive. Qeveria e Kosovës e ka ofruar një proces demokratik për serbët në veri dhe kjo ofertë duhet të pranohet nga serbët. Tash, ne, presim që ata ta pranojnë këtë. Nuk e kuptoj pse nuk duhet që të ndodhë kjo. Lista Serbe nëse thërret për bojkot atëherë duhet që të llogarisë edhe për pasoja”, ka deklaruar ambasadori Rohde.
Kujtojmë se në përgjigje të zhvillimeve të fundit në Kosovë, Bashkimi Evropian (BE) shprehu zhgënjimin e lidhur me hezitimin e serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes demokratike, BE-ja i kërkoi Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin e saj, duke theksuar të drejtën themelore të serbëve të Kosovës për të shprehur pikëpamjet e tyre në kutinë e votimit.
“Ne i kemi parasysh shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës në lidhje me procesin për zgjedhjet e reja. Pavarësisht kësaj, i bëjmë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë vendimin për mospjesëmarrje, pasi demokraci do të thotë pjesëmarrje dhe realizim i të drejtës së serbëve të Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutinë e votimit”, thuhet në deklaratën e BE-së.