Bendi “MadMan’s Choice” nga Suedia kanë publikuar pikërisht më 28 nëntor verzionin e tyre të këngës shqipe, ‘Xhamadani vija-vija’.
Grupi “MadMan’s Choice” erdhën para dy vjetëve nga Suedia në Kosovë, si të ftuar për të performuar në festivalin Hardh Fest në Rahovec.
E si një befasi e dhuratë për publikun shqiptar, ata kanë marrë mundin që të përgatisin një version të tyre të këngës shumë të dashur për shqiptarët, ‘Xhamadani vija-vija’. Por, publiku i befasoi ata akoma më shumë, duke i pritur shumë mirë e duke e vlerësuar atë që grupi ka përgatitur për ta.
Kështu, dy vite më pas ata kanë vendosur që me bashkëpunëtorë shqiptarë, kompozitorin Florent Boshnjakun e me videon e realizuar nga Bujar Berisha, ata të sjellin me videoklip këtë version të tyre të këngës.
Rok-grupi ka vendosur që pikërisht më 28 nëntor të bëjnë edhe publikimin e këtij projekti.





