Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj akuzave për “mafinë energjetike” në Ballkan, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe absurde, dhe se institucionet e Kosovës s’kanë lidhje me të dhe se siç tha ajo mund të ekzistojë me seli në Beograd.
Sipas saj, ata që po akuzojnë s’kanë fakte për këtë, ndërsa ka kërkuar që për bazë të merren veç deklarimet zyrtare.
“Nuk kam folur për të sepse është aq pa lidhje dhe e pabazë, sa s’më është dukur e denjë ta them. S’po ndalen disa duke e thënë. Mafia energjetike në Ballkan mund të ekzistojë, e të ketë selinë në Beograd, por asnjë institucion i Kosovës s’ka asnje raport, lidhje apo kontakt me të, as shoqëror e as biznesor, e as kurrfarë. Absurde që ta them pasi ata që akuzojnë, s’kanë asnjë fije fakti për atë që e thonë”
“Prej tyre s’mund të presim të jenë korrektë, por ju lus që të mos i merrni të mirëqena të gjitha deklarimet që i lexoni, por t’u referoheni informatave zyrtare nga kompanitë përgjegjëse”, tha Rizvanolli para gazetarëve.
Rizvanolli komentoi edhe për sfidat me të cilat përballet sektori energjetik në Kosovë, duke përmendur varësinë nga termocentralet e vjetra dhe mungesën e rehabilitimit ndër vite.
“Ne kemi sfida të sektorit energjetik, sepse siguria e furnizimit varet nga termocentralet 62 e 42 vjeçare, sepse s’janë bërë kurrë rehabilitime të tyre. Arsyeja pse s’i kemi nga prilli të gjitha blloqet është që për herë të parë, në Kosovën B po i modernizojmë turbinat dhe blloku 2 është jashtë funksionit, për t’i kryer këto për 6 muaj. Kjo është sakrificë e përkohshme, por e domosdoshme dhe duhet ta bëjmë tash sepse s’e kanë bërë me kohë, kur çmimet e importit kanë qenë trefish dhë më të lira”, tha ajo.
/Reporteri.net/