17 C
Mitrovice
E enjte, 28 Mars, 2024
spot_imgspot_img

Rikthehen raportet e mira mes Amerikës dhe Evropës: Biden thërret ngrohtësisht në Bruksel

Gjatë një vargu telefonatash me liderët në Bruksel, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të hënën foli me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, të cilët ia uruan fitoren kundër rivalit Donald Trump. Michel e ftoi Bidenin në Bruksel për të marrë pjesë në një takim me liderët e BE-së.

Bideni gjithashtu foli me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. “Ata diskutuan për rëndësinë e aleancës sonë transaltantike si gurthemel i sigurisë sonë kolektive”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

Toni miqësor shënoi një dallim të madh me Trumpin, i cili BE-së i drejtohet si rivale ose edhe si armike, e cila, sipas tij, ishte themeluar për t’ia marrë anën Shteteve të Bashkuara. Në momente të caktuara, Trumpi la të kuptohej se dëshiron që ShBA-ja të tërhiqet nga NATO-ja, shkruan Politico.

“Mrekulli të flisja me presidentin e zgjedhur, Joe Biden. E urova për fitoren. Është një fillim i ri për partneritetin global BE – ShBA”, shkroi Von Der Leyen në rrjetet sociale.

Michel bisedoi me Bidenin për rreth 20 minuta. Zyra e tij lëshoi një deklaratë për këtë bisedë, ku thuhet se Michel ka propozuar që të rindërtohet një aleancë e fuqishme transatlantike duke u bazuar në interesin dhe vlerat e përbashkëta. Ai mirëpriti zotimin e fuqishëm të Bidenit ndaj aleatëve të Amerikës dhe përkrahjen e tij për bashkëpunimin evropian.

Ai gjithashtu e ftoi Bidenin për t’i takuar 27 udhëheqësit shtetërorë të vendeve të BE-së në Bruksel vitin e ardhshëm dhe bëri thirrje për bashkëpunim të përtërirë në luftimin e pandemisë së koronavirusit, nxitjen për rimëkëmbje ekonomike, luftim të ndryshimeve klimatike dhe promovim të sigurisë dhe shumëpalshmërisë.

Trumpi dhe liderët e BE-së në përgjithësi nuk kalonin mirë me njëri-tjetrin dhe presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara shpesh ankohej se vendi i tij është duke u keqtrajtuar.

“Bashkimi Evropian është armik. Bashkimi Evropian, natyrisht, është themeluar për t’ia marrë anën Shteteve të Bashkuara”, kishte deklaruar Trumpi gjatë një interviste në vitin 2018./Express

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT