-1.7 C
Mitrovice
E hënë, 29 Dhjetor, 2025
spot_img

Rezultatet preliminare: VV-ja merr 56 ulëse në Kuvend, LDK i humbë 5 vende, PDK një deputet më pak

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare nga numërimi i 95 përqind të votave. Si parti e parë renditet Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK. Por, si përkthehet përqindja që kanë marrë partitë sot me ulëse në Kuvendin e Kosovës?

Sipas formulës “D’Hondt”, VV me më pak se 50 përqind të votave do të ketë 56 ulëse. Rezultati i sotëm kësaj partie ia ka shtuar tetë ulëse krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit. Për ta siguruar shumicën prej 61 votave, me këtë numër të deputetëve i nevojiten edhe 5 vota.

Me 21 përqind të votave, PDK do të ketë 23 ulëse, apo një më pak se në legjislaturën që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit, e që u shpërnda më pas.

Humbje të ndjeshme të ulëseve ka pësuar Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nga 20 deputetë sa kishte, tani do të ketë 15 ulëse nga 13% e votave që ka marrë apo pesë ulëse më pak.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndërkohë ka siguruar 6 ulëse, dy më pak se sa në zgjedhjet e kaluara kur ishte në koalicion me Nismën Socialdemokrate. Kjo e fundit, e cila garoi e vetme në këto zgjedhje, se ka kaluar pragun.

20 ulëse të tjera ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera.

Përllogaritja e ulëseve është pa votat me postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.

Në total janë 2 mijë e 557 vendvotime. Deri tash janë numëruar 2 mijë e 464.

Nga 1,999,204 qytetarë me të drejtë vote, në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë gjithsej 890,859 votues, sipas mbi 98% të të dhënave në vendvotime, të procesuara nga KQZ-ja.

Zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme, janë votimet e dyta parlamentare brenda vitit 2025 në Kosovë, pas atyre të rregullta të 9 shkurtit që nuk sollën qeveri të re në vend. /Reporteri.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT