22.5 C
Mitrovice
E enjte, 22 Maj, 2025
spot_imgspot_img

Reuters: ‘Vendi më i varfër në Evropë’ mund të humbasë fondet e BE’së-Kurti s’ka vota as për Kryetaren e Kuvendit

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka raportuar për krizën politike në Kosovë, duke kujtuar se ngërçi aktual jo vetëm që pengon formimin e qeverisë, por mund t’i kushtojë vendit qindra miliona euro fonde nga BE-ja dhe Banka Botërore, në një kohë kur ekonomia është në pasiguri të thellë.

“Deputetët po mblidhen çdo 48 orë që nga mesi i prillit për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, por kandidatja e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Albulena Haxhiu, ka marrë vetëm 54 nga 61 votat e nevojshme,” shkruan Reuters, ndërsa tutje citohen ekspertë që paralajmërojnë se dështimi për të zgjedhur kryetarin mund të shtyjë ose anulojë fonde të rëndësishme nga BE-ja dhe Banka Botërore për sektorë si shëndetësia, arsimi dhe energjia e gjelbër.

Raportohet se duke folur për agjencinë, Lulzim Rafuna, kreu i Odës Ekonomike, ka thënë se, “ka projekte dhe kredi me vlerë 700-800 milionë euro që janë pezull për shkak të krizës”, duke shtuar tutje se “bizneset janë në pasiguri për reformat, politikat fiskale dhe taksat”.

Reuters më pas ka shkruar për komentin e zëvendëskryeministrit në largim, Besnik Bislimi, i cili tha se fondet nuk do të humben dhe se kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin për të votuar financimet. Ndërsa, përmendet edhe intervista e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhënë për RTK-në, ku thuhet se “pavarësisht kërkesave të opozitës, kryeministri nuk ka treguar gatishmëri për të ndryshuar kandidaten”.

Tutje, duke shkruar për komentin e Kurtit dhënë në intervistë: “Ata (opozita) nuk besojnë që unë i kam 61 vota për t’u bërë kryeministër, dhe unë po ju them: më testoni,” Reuters ka vënë në pah se kryeministri në detyrë nuk e ka sqaruar se “si pret të sigurojë votat për të formuar qeverinë, kur nuk po arrin as t’i sigurojë ato për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.”

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT