Qytetarët e Kosovës do të detyrohen t’u drejtohen kutive të votimit sërish. Më së largu më 7 qershor, pritet të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Kjo meqë Kuvendi ka dështuar ta zgjedhë Presidentin e ri edhe pas afatit 34 ditor të Gjykatës Kushtetuese që përfundoi mbrëmë në mesnatë.
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka raportuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë duke shkruar se shteti më i ri në Evropë tashmë ndodhet në krizë të thellë politike.
Parlamenti kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur një kryetar shteti pasi mandati i Presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit, por Kryeministri Albin Kurti dështoi ta sigurojë mbështetjen e partive opozitare për ta votuar kandidaten e tij.
Dy të tretat e parlamentit me 120 ulëse duhet të jenë të pranishëm që votimi të jetë i vlefshëm. Dështimi për ta zgjedhur një president të ri shkakton zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Në bazë të aktgjykimit të (Gjykatës Kushtetuese), parlamenti konsiderohet i shpërndarë”, tha kryetarja e parlamentit dhe presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, në mesnatë.
Haxhiu pritet ta shpallë së shpejti datën e zgjedhjeve. Ky do të ishte votimi i tretë në pak më shumë se një vit, shkruan Reuters.
Reuters tutje raporton se këto zhvillime zgjasin edhe më shumë ngërçin politik në Kosovë, ku nuk pati qeveri funksionale në pjesën më të madhe të vitit të kaluar.
“Ky veprim zgjat ngërçin politik në Kosovë, e cila ka aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Vendi ballkanik nuk pati qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar pasi parlamenti i fragmentuar dështoi për muaj të tërë ta zgjedhë një kryetar, duke rrezikuar financimin ndërkombëtar shumë të nevojshëm.
Një fitore bindëse në zgjedhje e partisë Vetëvendosje të Kurtit në dhjetor dukej se do t’i jepte fund më shumë se një viti ngërçi politik.
Zgjedhja e një presidenti, edhe kur ai nuk ka kompetenca të rëndësishme politike, ka rezultuar gjithmonë sfiduese, pasi dy të tretat e deputetëve duhet të marrin pjesë në seancën e votimit, një kërkesë që e bën të lehtë prishjen e procesit”, thuhet në shkrimin e Reuters. /Reporteri.net/



