Si rrallë herë në demokracitë perëndimore, e për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, brenda 4 muajve janë votuar dy qeveri në Kuvendin e Kosovës, e para qeveria Kurti në shkurt, e dyta qeveria Hoti në qershor, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit nxorrën fitues Lëvizjen Vetëvendosje e pasuar nga LDK, të cilat pas 4 muajsh negociatash formuan qeverinë e re të drejtuar nga lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, por e cila nuk ishte jetëgjatë pas mocionit të mosbesimit të inicuar nga ish partneri qeverisës, LDK, dhe i votuar nga shumica e deputetëve.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e presidentit për mandatimin e Hotit për kryeministër, pa shkuar fare në zgjedhje, i dha rrugë formimit të qeverisë së re të drejtuar nga i nominuari i LDK-së, anipse mezi siguroi 61 vota pas intervenimit të presidentit Thaç.
Por si duket qeveria Kurti dhe ajo Hoti kanë diçka të përbashkët, asnjëra prej tyre nuk caktoi ministër nga regjioni i Mitrovicës, ani pse të dyja këto parti morën mijëra vota nga kjo pjesë.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit përveç që doli e para në tërë Kosovën, ai fitoi mijëra vota edhe në regjionin Mitrovicës duke lënë pas PDK-në, ani pse ky qytet njihej si bastion i partisë së drejtuar nga Kadri Veseli.
Por si duket kjo nuk mjaftoi dhe nuk e bindi ish kryeministrin Kurti që në kabinetin e tij të ketë një ministër nga kjo pjesë.
Njëjtë veproi dje edhe qeveria e re, ku në listën e ministrave nga kjo qeveri nuk figuron asnjë nga regjioni i Mitrovica e cila po ashtu edhe LDK-së i dha mijëra vota.
Për njohësin e çështjeve politike, Nexhmedin Spahiun, kjo situatë është e natyrshme pasi që qytetarët e Mitrovicës e votuan më së shumti Lëvizjen Vetëvendosje, por nuk e dërguan asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës, për dallim nga Vushtrria e cila përfaqësohet në legjislativ.
“Kjo është e natyrshme, duke pasur parasysh që zgjedhjet e fundit në Mitrovicë i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, por elektorati ka votuar Albin Kurtin, Glauk Konjufcën e të tjerë, duke mos e dërguar në Kuvend asnjë deputet nga Mitrovica. Prandaj, duke qenë një elektorat i çuditshëm dhe vetëdiskriminues, atëherë as ata nuk kanë zgjedhur ndonjë ministër nga ky qytet” – deklaroi Spahiu në një prononcim për Gazeta Online Veriu.info.
Spahiu njëjtë e sheh edhe situatën me LDK-në e cila nuk caktoi ministër nga ky regjion.
Kujtojmë që qeveria Kurti nuk kishte as ndonjë zëvendësministër nga kjo pjesë pavarësisht mijëra votave që mori në këtë regjion.
Dje Kuvendi i Kosovës ka votuar qeverinë e re të drejtuar nga Hoti, e cila sot edhe zyrtarisht ka marrë detyrën nga qeveria paraprake./Veriu.info/






