Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ia ka hedhur poshtë si të paafatshme Lëvizjes Vetëvendosje kërkesën për shfuqizimin dhe përsëritjen e votimit përmes postës në mërgatë të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar.
Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, pretendoi në ankesën e saj ditë më parë se ka pasur “manipulim” të procesit të votimit përmes postës.
Në vendimin e saj, PZAP-ja tha se Vetëvendosje e paraqiti ankesën e saj pas afatit ligjor për paraqitjen e ankesave, i cili është 48 orë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.
Vetëvendosje bëri ankesë mbrëmjen e 7 marsit, ndërsa numërimi i votave përmes postës përfundoi pasditen e 4 marsit, sipas vendimit.
Vetëvendosje ka të drejtë të ankohet ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve.
“Anulohet vendimi i KQZ-së, numër 01687-2025, datë 06.03.2025, urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), respektivisht Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) sipas rekomandimit të Sekretariatit të KQZ-së të datës 06.03.2025 të bëjë hapjen e 177 kutive të votimit, më 1631 fletëvotime të pavlefshme, të dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së, të njëjta fletëvotime të rivlerësohen, të numërohen, dhe të përfshihen në rezultatin përfundimtar”, thuhet në vendimin e PZAP-it.