Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj deklaratave të një analisti duke i quajtur si të pavërteta dhe ai nuk do të jap dorëheqje nga pozita e tij, shkruan Gazeta Metro.
Hoti ka thënë se partitë parlamentare tani i kanë dy opsione, ose të gjejnë zgjidhje për çështjen e presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve të reja në nivel vendi.
Tutje në komunikatën e lëshuar nga zyra e tij, thuhet se Hoti ka shprehur përkushtimin dhe gatishmëri për vazhdimin e dialogut, hartimin e pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike.
“Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Z. Avdullah Hoti, njofton opinionin publik se informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër mediat për dorëheqjen e Kryeministrit janë të pa vërteta. Kryeministri Hoti ka dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime, arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19. Duke ju referuar zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, Kryeministrit Hoti, e ka bërë të qartë qëndrimin se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e ka përmendur dorëheqjen si opsion”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se dje në një debat televiziv një analist kishte deklaruar se Hoti ka ofruar dorëheqjen nga pozita e kryeministrit.//gazetametro.net






