Familja Mustafa nga Mitrovica po ballafaqohet me një rast jashtëzakonisht të rëndë dhe specifikisht sfidues, shkruan Mitrovica SOT
Kryefamiljari, Fidan Mustafa, ka 20 vite që ndodhet në gjendje të rëndë si pasojë e një aksidenti ku vazhdimisht i është dashur të luftojë me dhimbje të padurueshme. Si pasojë e dhimbjeve ai e ka të pamundur të zhvillojë jetë normale, të ngritet nga shtrati e të gjallërojë.
Për pasojë, e gjithë barra e obligimeve familjare dhe e kujdesit për të ka rënë mbi bashkëshorten, Halime Mustafa. Se sa e rëndë është situata e saj bëhet dhe më e qartë pasi jo vetëm bashkëshorti por edhe i biri përballet me një problem specifik të rëndë shëndetësor pasi vuan nga sëmundja e epilepsisë. Halime Mustafa thotë se ka 20 vite që kujdeset për burrin, 18 për djalin.
Për trajtimin e të dyve nevojiten medikamente që janë të shtrenjta. Zonja Halime në intervistë thotë se deri tani kanë marrë ndihmë nga të afërmit por se tani nuk po kanë mundësi t’u ndihmojnë.
Për më tepër, bashkëshorti ka nevojë t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrje kirurgjike në Turqi por e cila kërkon shumën prej 30 mijë eurosh. Pamundësia financiare për t’i përballuar të gjitha këto shpenzime për trajtim të djalit e sidomos për trajtimin dhe operimin e bashkëshortit e ka detyruar të kërkojë ndihmë nga vullnetmirët. Ajo tha se tani për tani dërgimi i bashkëshortit në Turqi për trajtim është prioritar.
Ndërkohë, në lidhje me rastin ka reaguar dhe drejtori i organizatës bamirëse, “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, i cili bëri me dije se shoqata ka ndarë 1000 euro donacion dhe u ka bërë thirrje vullnetmirëve të kontribuojnë./MitrovicaSOT
Postimi:




